Cecchini, gati të zbarkojë në Serinë A

Emanuel Cecchini është gati të zbarkojë në Serinë A. Mesfushori i talentuar argjentinas do të jetë përforcimi i Genoa në këtë sezon, por me synimin për të veshur fanellën e Interit në të ardhmen. Ky operacion u nis nga zikaltërit që e kanë blerë bashkë me Genoan për 5 mln euro 21-vjeçarin nga Banfield dhe për ta lënë të ambientohet në Serinë A ai do të jetë fillimisht nën urdhrat e Juriç te Genoa. Në bazë të performancës së lojtarit, drejtuesit e Interit do të vendosin se kur mund ta afrojnë në të ardhmen mesfushorin.
Juventusi nxiton për të mbyllur akordin me Fiorentinën për Federico Bernardeschin. Ky i fundit publikisht konfirmoi se nuk do të rinovojë kontratën me klubin vjollcë dhe tani palët po negociojnë për transferimin e tij te Juventusi. Oferta e bardhezinjve është 40 mln euro, ndërsa Fiorentina kërkon 40 mln plus 10 mln të tjera bonuse. Marotta synon ta mbyllë akordin për ta patur Bernardeschin në grumbullim me Juventusin para 17 korrikut.
Torino përgatit goditjen në sulm. Presidenti Cairo për të plotësuar kërkesat e trajnerit Mihajloviç ka vendosur të mbyllë akordin me Napolin për Duvan Zapata. Ky i fundit i huazuar sezonin e kaluar te Udinese nuk është në planet e Sarrit, por i pëlqen shumë Sinisa Mihajloviç teksa edhe palët kanë një akord paraprak prej 20 mln euro bashkë me bonuset për kolumbianin.
Alessio Cerci rikthehet në Itali për të rilindur. Mesfushori me tipare sulmuese që ndërpreru kontratën me Atl. Madrid pak ditë më parë do të veshë fanellën e Hellas Verona për sezonin e ri me synimin për t’u rikthyer njeriu i golit në skuadër. 29-vjeçari vjen pas një eksperience aspak pozitive nga “Los Colchoneros” ku më shumë u huazua në ekipe italiane. Te Verona, Cerci do të gjejë një bomber si Pazzini duke krijuar një dyshe që premton gola për skuadrën.

Exit mobile version