Pas arritjes së marrëveshjes mes “Rithemelimit” të Sali Berishës dhe Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, duket se kanë filluar të lëvizin edhe disa ndryshime që deri më dje ishin të paprekshme dhe më saktë disa ndryshime që kanë të bëjnë me ligjin e vitit 2015 të dekriminalizimit, i cili ka qenë një ndër arritjet dhe fitoret më të mëdha të PD të drejtuar nga Lulzim Basha.
Parti Socialiste ka propozuar që në reformën e re zgjedhore të ndryshohet edhe ligji i Dekriminalizimit. Mazhoranca kërkon që në zbatim të rekomandimeve të OSBE-së të lejohen për të kandiduar dhe zgjedhur edhe personat që janë të dënuar nga një gjykatë e huaj jo me vendim të formës së prerë, por edhe ata që janë të dëbuar nga një vend i huaj!
Partia Socialiste ka propozuar 17 pika ku do të ndryshojë rregullat e zgjedhjeve. Një nga pikat është neni dy i ligjit të dekriminalizimit ku propozohet të lejohet kandidimi për personat të cilët janë të dëbuar ose të dënuar me një vendim jo përfundimtar nga një shtet tjetër.
Deri më tani personat të cilët kanë të paktën një dënim në një vend tjetër madje edhe jo të formës së prerë nuk mund të garonin për tu zgjedhur në parlament ose pushtet vendor dhe as për anëtarë të Këshillit të Ministrave. I njëjti kufizim në ligjin e vitit 2015 ishte edhe për personat të cilët janë të dëbuar nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Kanadasë.
Një tjetër propozim është të hiqet ndalimi për t’u përfshirë në garën elektorale për personat të cilët kanë një dënim nga një gjykatë e shkallës së parë në një vend të huaj, ose që janë të dëbuar.
Në vendintonë që nga miratimi i Ligjit të Dekriminalizimit në vitin 2015, disa zyrtarë të lartë, kryesisht kryebashkiakë, janë prekur nga këto nene që tanimë kërkohen të hiqen.