Marshimi i banorëve të Zharrëzës, e afera 557 milionë euro e Ramës

Armand MAHO

Grevistët do i gjenim pak kilometra më tutje, nga kryqëzimi që ndan Lushnjën me Grabianin. Ishin ulur buzë rrugës, sa të merrnin pak frymë, me qëllim për t’u rinisur sërish dhe shoferi ia dalloi që larg nga jelekët fosforeshentë dhe karrocat. Ata që kanë dalë prej, grevës rrijnë ulur në karroca, ndërsa të tjerët i shoqërojnë. Në fillim të vargut dhe në fund qëndrojnë dy makina… Janë të bashkëfshatarëve të tyre që u rrinë afër për çdo të papritur. Një natë më parë e kaluan në Lushnjë, ku improvizuan një kamping, pasi kishin ecur për plot 45 kilometra. Na tregojnë se disa prej tyre të rraskapitur, i kishin zënë gjumi sapo ishin shtrirë madje as të hanë nuk kishin pranuar. Me agimin e ditës së re, ishin nisur sërish dhe deri në momentin që i takuam ne kishin bërë rreth 10 kilometra. Natyrisht, nuk ecin më me tempin e ditës së parë, pasi dhe fuqitë janë mpakur nga rruga e gjatë. Nga krahu tjetër i rrugës në drejtim të Fierit, kalon  me shpejtësi një fuoristradë qeveritare me një makinë shoqërimi përpara. Makina e stërmadhe, fodulle dhe komode nuk e ndaloi aspak shpejtësinë, ndërsa grevistët e shoqëruan me kokë derisa u zhduk në horizont. Nuk e dinin kush ishte brenda, por luksi i saj dhe fodullëku i atij personi që ishin brenda dukeshin si dy realitete krejt të ndryshme.

Simbolika

Pa asnjë mëdyshje simbolika e këtij marshimi biblik të kohëve moderne ka vetëm një arsye. Ai është korrupsioni galopant, që për interesa të ngushta okulte i ka detyruar ata njerëz  të ndërmarrin këtë akt. Një simbolikë, dhe një mënyrë tjetër revolte për të kërkuar të drejtat e tyre. E bëjnë sepse pushteti nuk u la asnjë zgjidhje tjetër. Pas ata kanë lënë ato që dikur ishin shtëpitë e tyre. Themi ishin, se sot janë bërë të pabanueshme. Janë bërë të pabanueshme, sepse atyre që janë sot në qeveri u intereson vetëm marrëdhëniet që kanë me kompaninë e lidhur ngushtë me spekulantin miliarder Xhorxh Soros. Ai e pat thënë qartë në një intervistë: “Unë jam këtu për të bërë para, jo për të menduar pasojat sociale”. Dhe pasojat sociale ja ku janë. Banorët e Zharrëzës prej kohësh përballen me shurdhërinë e pushtetarëve mavi. Prej kohësh, përballen me talljen e tyre, ndërsa jetojnë me frikën se shtëpitë mund t’i zënë brenda bashkë me fëmijët. Me frikën, se fëmijëve të tyre mund t’i shfaqen lloj-lloj sëmundjesh nga kontaminimi i tokës, i ajrit dhe i ujit. Një prej tabelave të tyre kishte një thënie shumë domethënëse “Kryeministër, provoje ta sjellësh Zahon të jetojë një ditë në Zharrëz”. Por kryeministri nuk dëgjon. Për të është më e rëndësishme të hapë një ekspozitë me vizatimet e tij në ndonjë vend të Evropës, se të hapë sytë e shohë se çndodh me jetët e njerëzve në vendin e tij. Ai është më i preokupuar të ndërtojë luksin e tij, se të rindërtojë shtëpitë e tyre. Ai është më i shqetësuar të lexojë lavdet e militantëve në rrjetet sociale se të lexojë parullat në duart e lodhura të banorëve, “bankers po na pi gjakun”.

Ka ende rrugë

Tirana është ende larg… Banorët dje e ngritën kampingun e tyre në Kavajë, pasi ecën më shumë se 30 kilometra nga Lushnja. Por, ama që nuk ju mungoi ishte solidariteti…. Kudo në rrugë njerëzit ndalonin të të jepnin diçka. Dikush një freskuese, dikush diçka për të ngrënë, të tjerë ndalonin makinat dhe bënin një copë rrugë më këmbë. Shqiptarët po shohin live këtë lloj revolte të veçantë që po ndodh në vendin që kërkon të hyjë në Evropë. Ata që nuk dëgjojnë janë vetëm qeveritarët. Rrugës iu bashkuan marshimit të tyre dhe aktivistë të Shoqërisë Civile si dhe artistë… Tirana është ende larg, por dhe ata janë të vendosur që ta arrijnë. Pranë kampingut të improvizuar në Kavajë, një grua aty afër gatoi pak supë për njerëzit që kanë dy ditë që ecin. Mariusi, një prej tyre që ka qenë dhe në grevën e urisë, e nisën drejt spitalit, pasi ndjeu këputje. Mjeku i tha që duhet të ndërpriste marshimin, por ai nuk dëgjoi. Nesër do nisë rrugën sërish…

Të shtunën në Tiranë

Banorët e Zharrëzës pritet të mbërrijnë nesër në Tiranë. Rrugëtimit të tyre i kanë mbetur dhe rreth 50 kilometra për të përshkuar. Mijëra qytetarë besohet të dalin ti presin dhe t’i shoqërojnë deri në vendin  e mbërritjes. Marshimi i tyre për ta është një shembull i revoltës para shurdhërisë të pushtetit. Ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se të jetojnë. Të jetojnë aty ku kanë jetuar prindërit e tyre, gjyshërit e tyre. Të jetojnë e të rrisin fëmijët në shtëpitë e tyre, të cilat makutëria e pushtetit po ja shemb çdo ditë. Nuk ndodh në asnjë vend me standarde perëndimore që një kompani të fitojë miliona nga pasuritë e nëntokës dhe të mos ketë asnjë detyrim për ata që u shkatërron jetën. Nuk ndodh në asnjë vend, që shteti të ketë në këtë masë shurdhërinë ndaj njerëzve të tij që e kanë zgjedhur për t’i shërbyer. Në fakt ndodh, ndodh në vendet ku liderët janë të papërgjegjshëm, atje ku jeta e njerëzve vlen më pak se interesat. Ndodh në vendet ku i kushtohet më shumë rëndësi hobit të kryeministrit se punëve të shtetit.  Ndodh në Shqipërinë tonë.

Exit mobile version