Martiri i votës së lirë, 19 vjet nga vrasja e Kujtim Frangut

Besim Ndregjoni

Në këtë periudhë 25-vjeçare të ndërrimit të sistemit politik kam organizuar dhe përkujtuar shumë figura të shquara antikomuniste, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në historinë tonë kombëtare. Në mes këtyre martirëve sot mbas 19 vitesh kujtojmë me respekt dhe venerim Martirin e votës së lirë, Kujtim Tofik Frangun. U mbushën 19 vite që çdo fillim të korrikut si vit shënues të kujtojmë ty Kujtim. Korrik 1977 vriten poetët e Librazhdit, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, për poezitë e tyre në mbrojtje të lirisë. Diktatura i vrau në korrik se tronditej nga “Saharaja” shqiptare që kishte ndërtuar pushteti i tyre. Heronjtë dhe martirët paskan të përbashkët jo vetëm idealet dhe lirinë, por dhe vdekjen. 20 vite më pas në vitin e zi të 1997 falangat e ideologjisë komuniste që nuk ju nënshtruan gjykimit për krimet e kryera të diktaturës vranë në qendrën e votimit mbrojtësin e votës së lirë, idealistin e lirisë, birin e të burgosurit politik Kujtim Frangun, vetëm se ai nuk pranoi të cenohet vota e lirë. Ai votën e quante të shejtë, të pa prekshme, kurse pala vrasëse donte pushtetin me tjetërsimin dhe cënimin e votës. Ajo donte sundimin ideologjik dhe politik pa votë të lirë. Historia përsëritet i njëjti plumb që vrau poetët, i njëti plumb vrau mbrojtësin e votës së lire.
Kujtim, të kujtova ty, se ti je nga ata emra që për lavdi s’do t’ia dish kur jeta mbillet nëpër zemra me bekim perëndish. Sot të kujtova ty, si një emblemë e gjallë e historisë së re, e kësaj historie që dhemb. Pikat e referimit nuk kanë të sosur në këtë 19-vjetor të vrasjes tënde. Populli një armë ka në dorë, Votën e lirë dhe verditkin e saj, të cilën ti e mbrojte me jetën tënde.
Ti ishe i përndjekur politik, por me dinjitet, jetove 42 vite, por jeta jote nuk matet me vite që jetove, por me kualitetet njerëzore që e përballove atë jetë. Jeton pak dhe bën shumë, e tillë ishte jeta e martirit të votës së lirë Kujtim Frangu. Ai përçonte “Mirësi” dhe kjo i buronte nga vuajtjet që kishte kaluar në sistemin diktatorial. Motua e tij ishte “Të falim ne, që të pendohen të tjerët. Me urrejtje nuk shkohet larg…
I sakrifikicës për të tjerë deri në vetëflijim. Përjetuesi i viteve të burgut të babait të tij, Tofik Frangu, që vuajti jo pak, por dhjetëra vite, vetëm se ishte fisnik dhe nacionalist dhe spranonte diktatin e krimit komunist. Kujtim Frangu e kuptonte demokracinë me thënien e ish-Presidentit Abraham Linkol, “Aq sa nuk dua të jem skllav, po aq nuk dua të jem zotëri”. Gjithçka që nuk përputhet me këtë koncept, bie në kundërshtim me demokracinë. Kjo shprehje kuptimplotë përputhet me idealizmin dhe përkushtimin e Kujtim Frangut dhe e karakterizon jo vetëm tërë veprimtarinë e jetës së tij por, dhe si komisioner i votës së lirë për të cilën dha jetën i goditur me plumb nga një dorë gjakatare ditën e zgjedhjeve për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1997. Vdekja tregon se ç’njeri ke që qenë, thotë populli. Vdekjet më të bukura janë si ajo e Kujtim Frangut. Të biesh hero nga plumbi për nje ideal të lartë, për lirinë e njeriut, për të drejtën e votës së lirë në demokraci. Zoti kur don, të shpërblen dhe me vdekjen.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Mosiu, me dekretin  Nr. 4984 dt. 20.07.2005 e ka dekoruar Kujtim Frangun “Për merita të veçanta civile “me motivacionin “Për kontributin e dhënë, duke sakrifikuar dhe jetën në zhvillimet   demokratike në mbrojtjem e votës së lirë”.
Komisioni Shtetëror i Këshillit të Ministrave me vendimin Nr. 19 dt. 12.07 1998 e ka shpallur Dëshmorë i Atdheut me motivacionin: “Rënien në krye të detyrës si komisioner në Komisionin e Votimit”.
Sot të kujtova ty në këtë korrik të verdhëremë, dhe u ndjeva i rëndësishëm, duke marrë nga imazhi i yt. Sepse kujtesa për ty është një obligim për të dashur më shumë lirinë, të cilën t’i na e mësove pak më shumë, duke vaditur rrënjët e saja me gjakun e rinisë tënde.

Exit mobile version