Tregtari i plagosur nga maskat rrëfen se si iu grabit makina

Personi që mbeti i plagosur nga maskat mbrëmjen e së enjtes në afërsi të digës së Liqenit Artificial në Tiranë ka treguar në polici se autori e qëlloi pas kundërshtimit për t’i dhënë çelësat e makinës. I dëmtuari, Thanas Naumi, 34 vjeç, është pronar i një biznesi të vogël që merret me sistemet e ngrohjes, ventilimit e kondicionimit.
Autori i armatosur me pistoletë, por pa maskë, ka qenë duke e pritur pranë hotelit ku Naumi kishte parkuar makinën dhe në orën 23:30, kur ai ka hipur për t’u larguar, grabitësi i ka dalë para duke i drejtuar armën. Sipas vetë të dëmtuarit, synimi i personit që e plagosi ishte grabitja e fuoristradës së tij tip “Benz ML”, por pasi hasi në rezistencë, e goditi me një plumb në këmbë. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se paralelisht me pistën e grabitjes u hetua edhe për ndonjë konflikt që tregtari nga Pogradeci mund të kishte me ndonjë person tjetër.
Por mësohet se vetë i dëmtuari e ka përjashtuar këtë pistë, duke mohuar të ketë konflikte me njeri. Oficerët e policisë i kanë marrë dëshminë 34¬-vjeçarit në pavijonin e Spitalit të Traumës ku ai ndodhet i shtruar, pasi u plagos mbrëmjen e së enjtes.
“Nuk kam asnjë konflikt me askënd. Ngjarja ishte grabitje dhe autori më qëlloi pasi refuzova t’i jepja çelësat e makinës. Ishte i pamaskuar, por nuk ia pashë dot fytyrën, pasi ishte errësirë”, ka deklaruar para oficerëve tregtari Naumi.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:30 të mbrëmjes së të enjtes në rrugën e “Kosovarëve”, në zonën e Liqenit Artificial, në Tiranë. Automjeti i një tregtari nga Pogradeci u grabit nën kërcënimin e armës, ndërsa vetë pronari u plagos lehtë gjatë ngjarjes, pasi kundërshtoi të dorëzonte çelësat e mjetit. Menjëherë pas ngjarjes, aty kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 2, si dhe oficerë të Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Burime zyrtare të policisë thanë se autor i ngjarjes është një person ende i paidentifikuar që i ka grabitur mjetin tip “Benz ML”, me targa AA 515 HM, 34¬-vjeçarit, në kohën kur ai sapo e kishte ndezur për t’u larguar nga hoteli ku ka qenë duke pirë kafe.
Thanas Naumi, sipas policisë, ka qenë duke tentuar të largohet me makinë drejt shtëpisë, kur një person i ka dalë para me armë zjarri dhe i ka kërkuar të ndalonte. Drejtuesi i makinës ka ndaluar dhe autori i ka kërkuar të zbriste nga mjeti e t’i jepte çelësat, teksa i kishte drejtuar armën e zjarrit në fytyrë.
Shoferi ka kundërshtuar dhe në këtë moment autori e ka qëlluar me armë në njërën këmbë, duke e lënë të plagosur. Sipas policisë, plaga ka qenë tejshpuese në pulpën e këmbës, por fatmirësisht pa problem për jetën.

Exit mobile version