Masakra e 16 qershorit ’90/Ekzekutimi makabër në kufi i 16 vjeçarëve, Pëllumbi dhe Ndoja

Albina DEDE

Qershori në kujtesën e Shkodrës dhe tërë Veriut ka hyrë dhe për tragjendinë e vrasjes së dy adoleshentëve 17-vjeçarë Pëllumb Pëllumbi dhe Marjan Ndoja, nga sistemi më makabër, ai i diktaturës komuniste.
Zbardhja e arkivave dhe hapja e dosjeve për të vënë drejtësi mbi krimet e komunizmit dhe ndaj këtyre dy të rinjve të pafajshëm është dhe mbetet sot një imperativ i shtetit, sikurse dhe për 50 të rinj e të rejave që u masakruan dhe u zhdukën mizorisht nga regjimi në vitin 1990, në grahmat e fundit të komunizmit.
Dy të rinjtë u vranë pikërisht në mbrëmjen e datës 16.6.1990. Janë edhe dy adoleshentët, Pëllumb Pëllumbi dhe Marjan Ndoja, pasi kishin dëgjuar se, kalimi i paligjshëm i kufirit nuk ishte më tradhti ndaj atdheut, tentuan të kalojnë kufirin në Han të Hotit për një jetë më të mirë në Evropën e mohuar.
Por ata nuk mund ta dinin se çfarë thoshte ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani, më 19 mars 1990 para drejtuesve të kufirit se: “Ata që do të tentojnë në rrugë të fshehtë të kalojnë kufirin, të dënohen në bazë të ligjit dhe në rast se nuk do t’i binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të jetë dhe kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion.
Dy të miturit nga qyteti i Shkodrës i afrohen pengesës elektrosinjalizuese dhe tentuan të bëjnë një kanal poshtë saj për ta kaluar, por kontakti me telat dha direkt sinjal në postën  e kufirit, duke sjellë skuadrën dhe qenin e kufirit.
Pasi skuadra mbërriti, ata i afrohen të miturit, duke e qëlluar nga afër në ballë me armë brezi 17-vjeçarin, Pëllumb Pëllumbi, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë shoku i tij 17-vjeçari tjetër, Marjan Ndoja duke përfituar nga errësira largohet me shpejtësi në drejtim të lagjes Kushe dhe futet në banesen e një fshatari.
Me ndihmën e qenit profesionist, efektivët e kufirit. komanda si edhe shoqëruesi i mbërritën në shtëpinë ku djaloshi ishte fshehur nga frika e ekzekutimit.
Pasi  e gjejnë atë, komandanti e lidh Marjanin me telat me gjemba, duke e tërhequr zvarrë, por përpos kësaj torture çnjerëzore, duheshin edhe dhëmbët e qenit të nguleshin në trupin e njomë të të miturit.
Ulërimat e frikës, dhimbjes dhe vrasja para syve e shokut të tij rrënqethën gjithë malësinë, por nuk lëkundën aspak besnikërinë e komandantëve të partisë së popullit që të masakronte para syve të vetë popullit, djalin e tyre.
Ata e tërhoqen zvarrë deri në qendër të lagjes Kushe, (Shkodër) ku torturat vazhduan me forcën e  pamëshirshme të këpucëve të komandantit që ja copëtuan kokën të miturit, e pas tij edhe të gjithë efektivat vijuan aktin çnjerëzor të komandantit…
Marjan Ndoja u gjymtua dhe u masakrua përjetë brenda disa minutash torturash çnjerëzore, por kjo barbari e pashoqe e postës së kufiri duhej demonstruar dhe bërë shembull për të rinjtë e tjerë në qytet e në tërë vendin. Jehona e diktaturës që po vdiste duhej të mbante gjallë bëmat e saj edhe për shumë vjet, sipas oficerëve të pashpirt të sigurimit.
Qytetarët e Shkodrës martire, në dt.17.06.1990 do të shikonin djalin e mitur të masakruar, Pëllumb Pëllumbi që demonstrohej  në kamionçinën e Degës së Brendshme nëpër qytet për t’u bërë terror psikologjik edhe atyre që planifikonin një arratisje të tillë.
Kjo ngjarje makabre shokoi mbarë qytetarët e Shkodrës, të cilët reaguan duke demonstruar mllef e mëri popullore me parulla kundër regjimit çnjerëzor.
Ndërsa nëpër zyrat komentohej akti heroik i komandantit ndaj  asgjësimit të elementit armik të popullit deri në likuidimin fizik si edhe demaskimin para popullit si sukses i madh në mbrojtje të vijës së partisë.
E solla këtë histori rrënqethëse në vëmendjen e publikut, duke i rikujtuar atij se dhe kolegu im, Flamur Noka nuk bëri asgjë më shumë dhe asgjë më pak se një tentativë për të ikur nga mizoria komuniste drejt vendeve të lira. Ishte vullneti i mirë i Zotit që deshi të shpëtonte Flamuri nga një akt barbar i mundshëm i oficerëve e kufirit, të cilët ishin vigjilentë, edhe pse diktatura po mbijetonte orët e fundit.
Sot 26 vite më pas, vrasja makabre shtetërore e Pëllumbit dhe Marjos kërkon drejtësi. Kërkon dënim të fajtorëve dhe jo promovim të tyre në zyrtarë të kësaj qeverisjeje që sot nuk i vret të rinjtë me autmotikë, por i dëbon ata nga atdheu me varfëri e mjerim, me papunësi dhe fikje shprese.
Është cinike dhe tepër e hidhur që pikërish në Shkodrën e martirëve të lirisë, të demokracisë dhe të fesë  u nënshkrua marrëveshja e turpit, Rilindja e qeverisë dhe Parlamentit të krimit PS-LSI, edhe në prani të kumbarit të së majtës së importuar nga Serbia, Boris Tadiç, e ku në atë sallë festonin edhe komandantët që u rikthyen triumfatorë me sloganin e RILINDJES.
Si deputete, por mbi të gjitha si një mbesë e një njeriu të perskutuar e të gjymtuar nga kalvari i burgjeve, i thirrje organeve të hetimit, kësaj qeverie që me ironi deklarohet se do të ndërtojë memorialin e viktimave të krimeve të komunizmit, të largojë menjëherë nga zyrat e Rilindjes, kriminelët e gjenocidit komunist. Të hapen dosjet, të zbardhen emrat dhe të dalin para drejtësisë oficerët që vranë Pëllumb Pëllumbin dhe Marjan Ndoja, si dhe të gjithë ata që lanë pa varr e që sot nuk dihet ku i kanë eshtrat,  qindra të rinjë, burra e gra të pushkatuar me gjyq e pa gjyq. Një vend anëtar i Aleancës më të madhe të lirisë në botë NATO nuk është i lirë përsa kohë që viktimat e krimeve komuniste dhe familjet e tyre  kërkojnë drejtësi, ndërsa autorët e krimeve, vrasësit e të rinjve në kufi janë të lirë dhe gëzojnë pushtetin e çunave të Bllokut, qeveria e Rilindjes.

Exit mobile version