Carlo Anceotti i jep shanse të mira Italisë përballë Spanjës në 1/8 e Euro 2016. Tekniku italian nuk e sheh aq të fortë “La Rojan” si katër vite më parë, madje mendon se të kaltërit mund të përfitojnë nga mungesa e agresivitetit dhe variacionit në lojën e spanjollëve. “E kam thënë edhe më parë se, Italia e ka të vështirë me Spanjën. Skuadra e Contes do të luajë në mbrojtje dhe të të kërkojë të mbyllë hapësirat ndërmjet reparteve. Është e qartë se, Italia nuk ka lojtarë për të synuar zotërimin e topit. Spanja nuk mund të ndryshojë stilin e lojës, ata luajnë njësoj, qarkullojnë topin me pasime të shumta. Provuan diçka ndryshe në takimet e fundit me pasime të drejtpërdrejta për Moratan, i cili për mendimin tim krahasohet me Robert Lewandowskin, një sulmues që krijon probleme në zonë”, u shpreh Ançeloti.
Më tej, trajneri i Bayernit të Mynihut tregon edhe pikat e dobëta të skuadrës së Del Bosques. “Spanja do të kontrollojë mesfushën, kjo është e qartë. Iniesta dhe Busquets e kanë bërë këtë prej shumë vitesh. Mirëpo kam vënë re se si skuadër, spanjollët nuk janë shumë agresivë. Ata e kanë humbur fuqinë për të rikuperuar topin. Ndoshta Italia duhet ta shfrytëzojë këtë detaj dhe ta kthejë në avantazhin e saj”, tha ai. Fituesi i çiftit Itali-Spanjë do të përballet në çerekfinale me të kualifikuarën e takimit Gjermani-Sllovaki.
Do të jetë turku Cuneyt Cakir gjyqtari kryesor që do të japë drejtësi në finalen e parakohshme të Europianit, Itali-Spanjë, që do të zhvillohet në Paris. UEFA zyrtarizoi abitrin turk për këtë sfisë, ndërsa ndihmësa të tij do të jenë Bahattin Duran e Tarik Ongun. Mediat italiane e vlerësojnë profesionalizmin e këtij gjyqtari, megjithatë i mëshojnë faktit se në Turqi vazhdojnë t’i akuzojnë të kaltërit për eliminimin e skuadrës së Fatih Terim, që në fazën e grupeve. Nëse Italia e Antonio Contes do të merrte të paktën një barazim me Irlandën, atëherë turqit sot do të ishin në fazën e 1/8-ve. Mediat turke kanë shkuar deri aty sa ta akuzojnë Conten, se u hakmorr për eliminimin e Juventusit nga Gallatasaray në Champions në 2013-ën.
Cakir ka lindur në Stamboll në vitin 1976 dhe është diplomuar në ekonomi. Nga viti 2006, ka gjykuar ndeshje shumë të rëndësishme Italisë, duke nisur nga Itali-Irlandë në Euro 2012. Në finalet e turneut katër vite më parë, Cakir ishte gjyqtar i katërt në humbjen 4-0 të Italisë me Spanjën. Në karrierën e tij, turku Cakir ka gjykuar sfida të rëndësishme si finalja e Botërorit të Klubeve të vitit 2012, apo finalja e Championsit e 2015-ës, Barcelona-Juventus 3-1. Interesant është fakti që Cakir ka dhënë drejtësi në brenda pak ditësh në dy gjysmëfinalet e Championsit të këtij sezoni, Manchester City – Real Madrid dhe Bayern Mynih – Atletico Madrid. Në Euro 2016 këtij gjyqtari i është besur Portugali-Islandë 1-1, Belgjikë-Irlandë 3-0.