Në vitin 2013 Edi Rama bëri një premtim të bujshëm siç ishte ai për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Ishte një nga premtimet, të cilit Rama do i mëshonte në çdo takim, madje premtonte se gjysmën e kësaj shifre do e hapte që në vitin e parë të qeverisjes. Por katër vjet pas qershorit të vitit 2013 jemi në një realitet tjetër. Premtimi i Edi Ramës rezultoi të ishte një mashtrim, i cili e ndihmoi jo pak në fushatë elektorale. Vendet e punës jo vetëm nuk u hapën, por edhe ato që ishin u mbyllën. Kjo si pasojë e një politike të mbrashtë që çoi në falimentimin e mijëra bizneseve të vogla, të cilat u detyruan të falimentojnë për shkak të rritjes së taksave, energjisë dhe politikave të tjera diskriminuese për biznesin.
Raporti i BB
Në fund të vitit 2016, Banka Botërore do të publikonte një raport për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, ku mes tyre ishte dhe Shqipëria. Në këtë raport janë analizuar të gjitha vendet e rajonit dhe punësimi i tyre nga periudha 2010-2016. Shqipëria dhe Bosnja janë dy vendet me rënien më të madhe të vendeve të reja të punës. Në Ballkanin Perëndimor viti 2016 ka numëruar rreth 5.8 milionë njerëz të punësuar, rreth 300 mijë më shumë se në vitin 2010. Por Shqipëria dhe Bosnja janë dy vendet e vetme, të cilat nuk janë përfshirë në rritjen e punësimit. Sipas Bankës, në Shqipëri vendet e reja të punës ranë me 2.4% në gjashtë vitet e fundit, ku tkurrja më e lartë u konstatua tek të rinjtë, ndërsa në Bosnjë me mbi 5 për qind. Raporti thotë se vendet e reja të punës u shtuan në mënyrë domethënëse në Serbi dhe Maqedoni, ku punësimi real u rrit me 11.2 dhe 12.5%. Banka mat punësimin real, duke mos llogaritur efektin e formalizimit, që në Shqipëri më 2015-n ka qenë mjaft i lartë, si rrjedhojë e aksionit antiinformalitet të ndërmarrë nga qeveria. “Shkalla e papunësisë shënoi rënie në të gjithë rajonin, përveç se në Shqipëri”, sqaron më tej raporti i BB. Grupet që nuk kanë përfituar nga rimëkëmbja modeste e punësimit janë personat me kualifikim të ulët dhe në veçanti të rinjtë me arsim të paktë. Pra, duket qartë se punësimi në Shqipëri jo vetëm që nuk është rritur, por ka pësuar rënie drastike.
Sërish mashtron
E megjithatë Rama dhe një herë nuk heq dorë nga mashtrimet, kur këmbëngul se vendet e punës janë hapur, madje me shifra të habitshme. Pak para hapjes së fushatës në ekranet e TV–ve do të dilte ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, për të mbështetur më tej mashtrimin e nisur katër vjet më parë. “Kemi thënë 300 mijë vende pune në ekonomi, kemi 183 mijë vende pune në sektorin jobujqësor. Në total, në ekonomi janë mbi 300 mijë vende të reja pune të krijuara”, ishte deklarata e çuditshme e Ahmetajt (në fakt duhet thënë deklaratë e pacipë, sepse është një gënjeshtër e hapur). Më tej, mashtrimin e parë e vazhdoi dhe me një tjetër kur tha se do të hapim dhe 220 mijë vende pune të tjera! Pra, pasi mashtroi në vitin 2013, në vitin 2017 Ahmetaj dhe shefi i tij në qeveri kërkojnë dhe të tallen me shqiptarët. Sot Shqipëria ndodhet në ditët më të zeza të saj, kur niveli i papunësisë ka kapur majat dhe shton dita-ditës njerëzit që jetojnë në kufirin e varfërisë. Dhe sërish Rama merr guximin që në takimet e tij të ripremtojë hapje vendesh pune, bërje shteti e të tjera si këto. Në fakt një fjalë e urtë thotë “ma hodhe herën e parë është faji yt, por po ma hodhe të dytën është faji im”. Dhe në këto momente kjo shprehje vlen tamam për këto zgjedhje. Rama përgjigjen do e marrë ashtu siç e meriton më 25 qershor.
Eksodi masiv i shqiptarëve në qeverinë Rama, shkak kryesor papunësia
Por mashtrimi i Ramës u duk qartë sidomos përgjatë viteve 2015-2016, kur ndodhi dhe emigrimi masiv i shqiptarëve. Rreth 70 mijë persona, forca më vitale për punë e vendit, iu drejtuan vendeve perëndimore me kërkesa azili ekonomik, duke vënë në rrezik dhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave. Një ndër shkaqet kryesore që u renditën në atë eksod, më të madhin që nga fillimi i viteve 90-të, ishte papunësia. Pamjet e ekraneve u mbushën me shqiptarë që mbushnin kampet e Gjermanisë dhe Holandës, të tjerë prisnin poshtë urave të Francës, për të gjetur një mundësi që të iknin drejt Anglisë. Në prill-majin e vitit 2015 Shqipëria do të renditej e dyta në Evropë për numrin e lartë të kërkesave për azil pas Sirisë, që është një vend në konflikt. Rama nga ana e tij, me paturpësinë më të madhe do të thoshte se ata që ikin drejt Evropës janë kryesisht shqiptarë të emigruar në Greqi, që largohen për shkak të krizës atje. Ndërkohë që ekranet e televizioneve jepnin përditë pamje se si zbrazeshin fshatra dhe qytete, si në fshatrat e Kukësit, Tepelenës, Dibrës, Elbasanit e Korçës kishin mbetur vetëm pleqtë, pasi pjesa e aftë për punë kishte emigruar. Në këtë kohë ai do të nxirrte dhe shprehjen e famshme që u bë hit për shkak të idiotësisë që mbarte në vetvete “punë ka po s’ka profesionistë”.
Rama rriti papunësisë, biznesi: Nuk përballuam faturat, më mirë pa punë se në burg
Falimentimi i bizneseve të vogla kryesisht, për shkak të taksave të larta dhe gjobave për atë që u quajt si lufta kundër informalitetit, janë dhe shkaku kryesor i mbylljes së aktivitete nga shqiptarët. Në një sondazh të publikuar nga “Monitor.al” jepet një fakt tronditës. Më shumë se 50 për qind e bizneseve të vogla janë mbyllur dhe aktiviteti është përqendruar tek aktivitetet e mëdha ose thënë ndryshe tek oligarkët e Ramës. Ja çfarë shkruante “Monitor” në prillin e këtij viti. “Gjobat dhe taksat e hapësirës vazhdojnë të mbeten një faktor për mbylljen e bizneseve sipas njerëzve të intervistuar gjatë sondazhit. Kleidon Duro, me aktivitet bar-kafe, tha se e mbylli biznesin pasi nuk po përballonte dot më taksat e larta, por edhe puna shkoi në zero. ‘Njerëzit u stepën kur qeveria filloi aksionin e famshëm. Tani unë jam i papunë’, tha kryefamiljari Duro. Edhe Florjan Koçeku tregoi se për shkak të rritjes së taksave, vendosi të pezullonte aktivitetin dhe të lëvizte jashtë. Taksat e larta ishin motiv edhe për zotin Arif Karafili. Arifi kishte një biznes të vogël, bar-kafe në zonën e Kinostudios ku, përveç se ishte vetëpunësuar, kishte punësuar dhe 5 punëtorë. Fillimisht tha ai – iu rrit taksa për hapësirën publike, rreth 50 mijë lekë, më pas çmimi i energjisë elektrike, fatura e ujit vinte nga 9 mijë lekë në 16 mijë lekë, si dhe u detyrua të sigurojë të gjithë punëtorët që kishte marrë në punë. Në total, pati rreth 100 mijë lekë në muaj kosto shtesë dhe e pa të arsyeshme që ta mbyllë. Arifi, 41 vjeç, i cili është edhe kryefamiljar, aktualisht është i papunë. Pyetjes se si i del për të mbajtur familjen Arifi e shmangu… Ferdinand Xhani, nga Durrësi, i cili kishte një aktivitet të tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore tha se kishte hapur një dyqan ushqimor përpara zgjedhjeve, duke zbatuar të gjitha rregullat. Por për shkak se kishte marrë një gjobë në masën e 50 mijë lekëve për mosafishim të posterit ku kujtohet tërheqja e kuponit kishte mbyllur aktivitetin. ‘E apelova, por nuk fitova. Tani jetoj falë ndihmës ekonomike të njerëzve që kam jashtë, tha ai’. Për situatën e vështirë të bizneseve, zoti Florian Arapi, avokat me profesion nga qyteti i Elbasanit, thotë se ‘keq të hapësh biznes, por më keq ta mbyllësh. M’u rritën sigurimet shoqërore, taksat… nuk po e përballoja dot më’, thotë Floriani. Vështirësi me inspektorët tatimorë ka hasur dhe Myslym Sinani, nga Patosi. ‘M’u bë jeta skëterrë, më rrinin tatimorët te dera si xhandarë. Kisha frikë se do të shkoja në burg. M’u bë puna stres. Tani rri pa punë’, tha zoti Sinani. Erion Plepi, me aktivitet tregtimi me pakicë në Fier, tha se për pamundësi ekonomike, për të shlyer një gjobë prej 30 mijë lekësh vendosi që të mbyllte aktivitetin. Edhe Elvis Osmani, i cili kishte një bar-kafe në Selitë, kishte mbyllur aktivitetin për shkak të pamundësisë për të paguar gjobën. ‘Mora një gjobë prej 50 mijë lekësh, të cilën nuk mund ta paguaja dot, prandaj e mbylla aktivitetin’, tha ai kur u pyet për arsyet e pezullimit të aktivitetit. Leonard Laçi, për më shumë se 10 vite, ofronte shërbime funerale në qytetin e Pukës. Një vit më parë, në kuadër të nismës për formalizimin, regjistroi biznesin në QKR. I pyetur nga ‘Monitor’ për shkaqet e mbylljes, ai deklaroi se pati rënie të aktivitetit. Falimentimi i këtij biznesi 10-vjeçar tregon se bizneset në Shqipëri janë aq të varfra, sa nuk mund të mbyllin as detyrimet. Tahir Vata, shofer nga qyteti i Kukësit, u detyrua të merrte licencë për shkak të porositësit të tij, Nika-Bl, për të kryer transportin e hekur-nikelit. Në historikun e biznesit të tij tregohet se është pezulluar dhe aktivizuar disa herë aktiviteti i tij, për të cilin ai tha se e bënte për të mos paguar sigurimet kur ishte pa punë. Fatmir Bastari vendosi që aktivitetin e këmbimit valutor, të cilin e kishte ushtruar prej vitesh në të zezë, ta formalizonte duke hapur një pikë këmbimi monedhash. Biznesi i tij mundi të mbijetonte vetëm për katër muaj. Fatmirit nuk i buzëqeshi fati, ai liston si arsye shumë faktorë, nga taksat deri në keqmenaxhim. Edhe Flori Trashi nga Durrësi, prej 5 vitesh operonte në grumbullimin e skrapit dhe tregtimin e tij. E formalizoi biznesin më 2015-n. Më pas e mbylli pasi nuk mund të mbyllte dot detyrimet. Tani është i papunë. Avni Tobli, kontabilist, ka kaluar në zyrën e tij rreth 550 biznese në pesë vitet e fundit, nga të cilat gati gjysma janë mbyllur. Zoti Tobli tha se 10% e bizneseve falimentojnë në mënyrë sistematike. Shpeshherë, shkak është menaxhimi i dobët, mungesa e inovacionit dhe konkurrenca e ashpër. Ndërsa, 40% të subjekteve për shkak të krizës. Pjesa tjetër, 50%, nuk kanë qenë ndonjëherë biznese të mirëfillta dhe janë pjesë e grupit të reformës për formalizim, të cilët regjistruan bizneset e tyre dhe duke mos ia dalë me pagesat e detyrimeve, sot po mbyllen”.