Janë krejtësisht të dënueshme skenat që mijëra shqiptarë panë nga protesta e banorëve të Unazës së Re përballë Kuvendit ku një punonjëse policie u plagos në dorë.
Po aq e dënueshme është edhe iniciativa e qeverisë për të nxjerrë me gisht në gojë mijëra banorë të Unazës së Re duke iu prishur banesat e duke mos i dëmshpërblyer për një projekt, i cili kundërmon erë korrupsion që në letër.
Raportohet se janë 12 policë të plagosur, tek ta u zhvilluan vizita publike nga ministri i Brendshmë Sandër Lleshaj, por policia nuk ka dhënë asnjë detaj mbi numrin e protestuesve të rrahur dhe dhunuar dhe sa prej tyre gjenden në spital.
E sikur të mos mjaftonte kjo, propaganda qeveritare ka marrë krahë duke përdorur gjakun e polices së plagosur për të sfumuar protestën e banorëvë te Unazës së Re.
Ka një tendencë për t’i paraqitur ata si vandalë dhe shpellarë siç i quajti edhe kryebashkiaku Veliaj duke fshehur njëkohësisht edhe shkopinjtë e gomës të policisë në kokat e të miturve.
Fillimisht u tha se policja humbi 4 gishta duke ngjallur një solidarizim të madh dhe tërësisht të drejt, pastaj u raportua se humbi tre, ndërsa rezulton se policja ka dëmtuar vetëm një gisht dhe për fat të mirë nuk ka humbur asnjë.
Megjithatë, propaganda qeveritare e bëri të veten duke tentuar të sfumojë protestën e këtyre banorëve, një pjesë e të cilëve e tajkaloi me shashkat, por që pjesa më e madhe u rrahën keqaz në mes të Tiranës!