Maskat grabisin një dyqan elektroshtëpiakesh në Lezhë

Një dyqan elektro-shtëpiak në Lezhë ka rënë pre e grabitjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:43 të mëngjesit të djeshëm. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet e grabitjes së një biznesi elektroshtëpiakesh në hyrje të qytetit të Lezhës, në orët e para të mëngjesit të së premtes. Por, policia nuk ka arritur të identifikojë autorët, ndërsa ka nisur hetimet pas këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Kështu, sipas policisë, një biznes elektroshtëpiakesh në hyrje të qytetit të Lezhës është vjedhur rreth orës 4:00 të mëngjesit të ditës së premte me anë të thyerjes. Grabitja është realizuar nga dy persona të cilët kanë qenë të maskuar.
Ata kanë mbërritur tek dyqani që ndodhet pranë urës me një automjet pa targa dhe kanë hyrë brenda duke thyer derën kryesore. 10 minuta u është dashur hajdutëve që të marrin disa telefona celularë të markave iphone dhe galaxy si dhe kasafortën brenda së cilës sipas pronarëve nuk ka patur shumë para.
Grabitësit janë dëgjuar në lëvizjet e tyre nga një tjetër biznes aty pranë, që ka njoftuar menjëherë policinë si dhe pronarin e dyqanit. Pasi kanë përfunduar vjedhjen, dy grabitësit e maskuar janë larguar me mjetin e tyre në drejtim të Shkodrës, ndërsa policia nisi ndjekjen, por në pamundësi për të rënë në gjurmët e tyre kanë nisur hetimet për ngjarjen. Forcat e Policisë së Lezhës nuk kanë mundur të identifikojnë autorët nga pamjet e filmuara.

Exit mobile version