Maskat plagosin 65-vjeçarin në të dyja këmbët dhe i kërkojnë paratë

Grabitësit e armatosur dhe të maskuar sulmuan dje një tjetër familje në Lezhë. Ngjarja ndodhi në rreth orës 01:15 pas mesnatës, në familjen Sela në fshatin Rrilë të rrethit Lezhë. Bëhet e ditur se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë mësyrë në shtëpinë e familjes Sela, ku ndodheshin dy bashkëshortët e moshuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë kërkuar paratë. Kryefamiljari Vasil Sela ka bërë rezistencë ndaj edhe është qëlluar me armë nga grabitësit, të cilët e kanë plagosur në të dyja këmbët. 65-vjeçari Sela është nisur me urgjencë drejt Qendrës Spitalore të Traumës në Tiranë ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Gruaja e Vasilit u shpreh se, nuk kishin dëgjuar asgjë deri kur panë dy grabitësit e armatosur në mes të dhomës. Çifti i moshuar ndodhej vetëm në shtëpi sepse dy djemtë ishin në një dasmë. Në momentin e parë autorët kërcënuan të zotin e shtëpisë me jetë nëse nuk tregonte ku ishin fshehur paratë. Fillimisht, ata e qëlluan me armë në njërën këmbë, por duke parë rezistencën e burrit e qëlluan edhe në këmbën tjetër. Nuk dihet saktësisht sa është shuma e parave që ata morën. Më pas grabitësit janë larguar me shpejtësi sepse krismat e armëve alarmuan edhe fqinjët.
Policia e Lezhës bëri të ditur se po heton për ngjarjen, por pa mundur të vendosë në pranga autorët e terrorit në familjen Sela. Ngjarja ka krijuar panik tek banorët e zonës, të cilët janë shprehur se ndjehen të pasigurtë në banesat e tyre. Vetëm dy ditë ditë më parë grabitësit sulmuan banesën e këngëtarit popullor, Zef Beka, ku grabitën 15 milionë lekë dhe makinën e tij që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Gruaja e tij dëshmoi se maskat i kishin terrorizuar dhe i kishin kërcënuar se do t’i vrisnin nëse nuk do t’u jepnin paratë që ndodheshin në shtëpi, xhiroja e fituar nga një dasmë në lokalin e Bekës, vetëm pak orë para se të ndodhte ngjarja.
Edhe për këtë rast policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Këto grabitje dhe ngjarje të mëparshme kriminale, të cilat kanë mbetur pa autor, e kanë bërë Lezhën një zonë të frikshme, ku bandat po terrorizojnë banorët.

Exit mobile version