Vdekja e Ardit Gjoklajt, një punëtor 17-vjeçar në landfillin e Sharrës në Tiranë të dielën e kaluar shkaktoi zemërim të gjerë publik dhe vuri nën presion kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe platformën e tij të menaxhimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, ndërsa tre të arrestuar për ngjarjen mohuan përgjegjësinë para gjykatës dhe një i katërt, administratori i një kompanie që punonte në landfill, vijon të mbetet formalisht i shpallur në kërkim nga policia.
Partia Demokratike në opozitë i kërkoi dje llogari kryebashkiakut për vdekjen e Gjoklajt, duke e konsideruar Veliajn fajtor për ngjarjen.
“Erion Veliaj nuk lë rast pa përfituar të dalë në media për të bërë propagandë. Për këtë rast, Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës heshtin. Vdekja e 17-vjeçarit, Arditit, në landfillin e Sharrës, një territor i administruar nga Bashkia e Tiranës dhe nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, është një rast flagrant që tregon se si krimi e korrupsioni ka futur kthetrat në Bashkinë e Tiranës”, deklaroi Akil Kraja, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës për Partinë Demokratike në opozitë.
Pas deklaratës së tij, Veliaj theu heshtjen katërditore me një deklaratë ku nuk jep sqarime se pse dhe me çfarë marrëdhëniesh ligjore, një kompani private e quajtur “3R”, punonte në brendësi të landfillit të Tiranës.
“…akuzat e pabaza e kalërimi mbi vdekjen thjesht shtojnë përbuzjen për një parti që as pastrim nuk bëri, as landfill nuk zgjidhi dhe asnjë orë pune nuk kreu për qytetin e Tiranës”, deklaroi Bashkia.
Trupi i pajetë i Ardit Gjoklajt u gjet të dielën në landfill me dëmtime të rënda, për të cilat policia dyshon se janë shkaktuar nga një ekskavator. Sipas familjarëve të tij, të cilët folën për median, Gjoklaj po punonte në landfill me shpresë se do të nxirrte paratë për të blerë librat e shkollës, të cilat, familja e tij që jeton me një rrogë të babait të viktimës që punon në polici, e ka të vështirë t’i përballojë.
Sipas një njoftimi të policisë të hënën, i riu ishte punonjës sezonal i paregjistruar në landfill dhe se drejtuesi i një ekskavatori me kova qe punësuar në landfill edhe pse nuk dispononte leje drejtimi. Policia shpalli në kërkim shtetasin Edurim Teqja, 48 vjeç, banues në Peqin, i cili figuron si administrator i një kompanie me emrin “3R”.
“BIRN” ka mësuar se Teqja është zgjedhur kryetar i Partisë Socialiste për Peqinin rreth tre javë më parë. Sipas një investigimi të “BIRN”, kompania e administruar prej tij rezulton se grumbullon mbetje të riciklueshme, kryesisht plastikë në landfillin e Sharrës dhe se e kryen këtë aktivitet pa ndonjë marrëdhënie kontraktuale të njohur me Bashkinë e Tiranës. Bashkia nuk iu përgjigj kërkesave të vazhdueshme të “BIRN” mbi këtë kompani. Ndërkohë, kompani të tjera që punojnë në sektorin e riciklimit të plastikës e konsiderojnë bashkëpunimin e Bashkisë me kompaninë “3R” si një përpjekje të përsëritur për të krijuar një monopol në riciklimin e plastikës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur prej muajsh një fushatë kundër grumbulluesve individualë, të cilët janë përgjithësisht të varfër nga komuniteti rom, duke i shpallur vjedhës të mbetjeve, të cilat ligjërisht bëhen pronë e Bashkisë pasi hyjnë në kazanët e plehrave dhe duke argumentuar se romët që mund të mbeten pa punë nga kjo fushatë do të sjellë punësim “në përputhje me të gjitha rregullat, të cilët paguajnë edhe sigurime shoqërore”.
Vdekja e 17-vjeçarit Gjoklaj në atë që policia po e heton si aksident në punë, sugjeron se në fakt, punësimi qe në të zezë dhe jashtë rregullave të sigurisë në punë.