Maturantët: Protestat nuk do të ndalen. Rama është një turp!

“Turp, turp Edi Rama!”. Me këtë thirrje kanë protestuar para Kryeministrisë, dhjetra maturantë që kanë rezultuar humbës edhe në raundin e dytë të aplikimit për në universitete. “E kam pasur mesataren 9.5 gjatë tre vjetëve, por me mesataren e AKP më doli 9 dhe si rrjedhim, më ra një degë që nuk më pëlqente,” tha një vajzë protestuese.  “Nëse dikush do të bisedonte me ne,zgjidhja edhe mund të gjendej,” tha maturantja, duke shpresuar ende për një reagim nga qeveria”. Të rinj të tjerë vunë në dukje se atyre iu janë hequr nga mesatarja, disa lëndë, të cilat nuk iu njohën, ç’ka çoi në uljen e mesatares ndjeshëm dhe daljen fitues në degët që nuk u interesonin. Ata shprehen se pavarësisht mesatareve të larta që kishin përgjatë tre viteve në gjimnaz, nuk arritën që të fitonin një nga degët e formularit, apo e drejta e studimit u doli në një degë që s’u pëlqente. “Me mesataren e AKP e kam nxjerr mesataren 9, ndërsa mesataren e përgjithshme të tre viteve e kisha 9.5. Mora një degë që nuk e pëlqej.”, pohoi një prej maturanteve të zhgënjyera, duke shtuar se si rasti i saj ka edhe shumë të tjerë. Një tjetër maturant theksoi se Ministria e Arsimit ndryshoi rregullat në fund të ‘lojës’.  Kjo nuk është hera e parë kur maturantët janë hedhur në protestë, pasi ka pasur pakënaqësi që në fazën e parë të përzgjedhjes. Ministria e Arsimit deklaroi se kishte shumë kuota të lirë, gjë që do t’i jepte mundësi të gjithë maturantëve jofitues në fazën e parë. Procesi i maturës shtetërore këtë vit ka pësuar disa ndryshime që kanë të bëjnë jo vetëm me procesin e përzgjedhjes së fituesve, por edhe me aplikimin në sistemin online. Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim përfshihen edhe universitetet private. Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do t’i vendosin universitetet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50% dikush tjetër 30% etj. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhej që në datën 29 korrik niste procesi i hedhjes së notave mesatare në sistem. Nga data 29 e deri në ditën e aplikimit, sipas kalendarit për qark a qytet, për të gjithë maturantët do të hidhej nota mesatare në sistem. Nëse vitin e kaluar, kishte shumë rëndësi përzgjedhja për 10 preferencat, por sidomos renditja e tyre, sivjet nuk kishte përzgjedhje sipas preferencave të para. Këtë vit, në rast se një maturant e gjen emrin mbi vijën e kuqe, në disa degë njëherësh, ai e merr vendimin vetë për njërën prej tyre. Pra, nuk ka rëndësi renditja e degëve. Ndërkohë, raundi i dytë rinis nga e para. Kur një maturant e sheh që nuk ka fituar në asnjë degë, bën renditjen e re për të fituar universitetin. Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Kjo lloj formule solli një amulli totale në radhët e maturantëve që prisnin të vijonin ëndrrën e tyre për të ndjekur studimet e larta.

Exit mobile version