Mauro Ikardi tërbon kinezët

“Është një kaos i madh në të cilin nuk kam ndër mend që të futem”. Prononcimi i shkurtër i Masimo Moratit për atë çfarë po ndodhte rreth çështjes “Ikardi” vlen shumë për të kuptuar gjendjen shpirtërore të atyre që kanë investuar për emrin e shoqërisë dhe ata që vazhdojnë të bëjnë diçka të tillë. Ish-pronari i Interit duket se nuk ka qenë i vetmi që është tërbuar nga situata e krijuar. Sipas mediave italiane, edhe numri një i “Suning Group”-it është mërzitur jo pak prej lajmeve që i vinin nga Milano.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, ndërhyrja nga Kina nuk ka munguar, pasi nuk shpjegohet ndryshe fakti që Ikardit nuk iu hoq shiriti i kapitenit (edhe pse për pak kohë) ashtu siç kishte paralajmëruar Zaneti. Kinezët kanë preferuar që të mbyllin këtë çështje, duke mos degraduar kapitenin, por duke i vendosur atij një gjobë të kripur (rreth 100-150 mijë euro) si dhe duke e detyruar që të ndryshojë disa paragrafë të biografisë.
Ajo që po preokupon edhe më shumë pronarët e Interit është mungesa e një figure qendrore në klub. Me largimin e Mançinit, i cili merrte gjithçka përsipër, Interi nuk ka një figurë që ta mbrojë në media apo të evitojë të tilla situata të sikletshme. Mendohet se Jindong Zhang nuk ka ndër mend që të transferohet në Itali, por këtë gjë do ta bëjë i biri, Stivëni.
Grupimi historik i ultrasve të Interit, “Curva Nord”, reagoi sërish dje. “Historia e fëmijës është një shpikje e Ikardit. Ai kërkoi ndjesë për tonet apo kërcënimet që ka bërë në biografi, por jo për faktin se ka mashtruar, duke shkruar se ne kemi keqtrajtuar atë fëmijë. Nuk e tolerojnë dhe përsëritim se ai për ne nuk është asgjë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Interin siç kemi bërë gjithmonë”, thuhej në komunikatë.
Në Milano janë të bindur se çështja “Ikardi” mund të ishte evituar fare mirë nëse dikush prej Interit do të ishte interesuar në kohë për përmbajtjen e librit “Gjithmonë përpara”. E përditshmja italiane “Repubblica” ka listuar dje një sërë rastesh analoge që kanë ndodhur së fundmi në klubet e tjera të Serisë A. Ndërkohë që, dje është bërë publik një tjetër kapitull që pritet të hapë edhe më shumë polemika.

Exit mobile version