Pasojat fatale të impiantit me djegie të plehrave në Fier

Para 2 muajsh isha pjesë e një dëgjese publike të organizuar nga Bashkia e Fierit, në lidhje me projektet e zhvillimit të kësaj bashkie për vitet 2016-2031.
Në strategjinë e hartuar nga CoPlan në bashkëpunim me bashkinë në fjalë, të paraqitur në këtë dëgjesë, u dha nga kryetari lajmi “ngazëllyes” që qeveria ka filluar tratativat për ndërtimin e një inceneritori në territorin e Bashkisë së Fierit, i cili do të trajtojë të gjitha mbetjet urbane të kësaj bashkie.
Pa hyrë në konsiderata teknike në lidhje me vendin, kostot, modelin etj., më duhet të them disa mendime në lidhje me këtë proces vendimmarrjeje që, në këndvështrimin tim, nuk është i duhuri për banorët e këtij rajoni.
Sipas fjalorit të Oksfordit, inceneritori është një pajisje ose aparat që përdoret për djegien e mbetjeve urbane ose industriale në temperatura shumë të larta, duke i shndërruar në hi.
Problem kryesor, përveç grimcave që lirohen në ajër gjatë djegies (këto pajisje çlirojnë disa qindra kimikate toksikë në atmosferë), janë mbetjet toksike në formën e hirit dhe metaleve të rënda që prodhohen në fund të këtij procesi.
Problem edhe më i madh është menaxhimi i produktit të djegies, këtyre lëndëve shumë toksike, të cilat nëse nuk izolohen si duhet ose bien në kontakt me ujin e pijshëm ose ujërat nëntokësore dhe do të sillnin pasoja fatale.
Këto pajisje nuk janë shpikja jonë. Europa e më gjerë ka kohë që i përdor, por gjatë kësaj kohe janë vënë re pasoja negative që duhet të merren parasysh, duke mos patur arsye të bëjmë gabime që të tjerët i kanë evidentuar si të dëmshme për shëndetin. Disa prej këtyre janë:
Procesi i djegies nuk e zgjidh problemin e mbetjeve, vërtet e zvogëlon vëllimin e mbetjeve me 30-50%, por krijon gazra toksike, pjesëza që qëndrojnë pezull në ajër në formë hiri, të cilat janë më pak të dukshme, por shumë më të rrezikshme për shëndetin e njeriut e për mjedisin. Shumë njerëz mendojnë se pas djegies mbetjet zhduken. Në të vërtetë, mbetjet e djegura transformohen në hi dhe gaz. Gjatë procesit të incineracionit prodhohen dy lloje hiri: hiri “fundor” dhe hiri “fluturues”. “Hiri fundor” është hiri i prodhuar nga djegia e qymyrit ose lëndëve të tjera, i cili transmetohet në ajër. Sasia e këtij hiri është shumë më e vogël sesa e atij fundor. Hiri “fluturues” është pjesë e mbetjes jo të djegshme, gjatë procesit të djegies në incinerator. Gjatë zhvillimit, ai ngjitet pas mureve të nxehtë të furrës djegëse.
Studime të gjera epidemiologjike kanë treguar se përreth zonave ku janë ndërtuar këto struktura vihet re një numër më i madh i individëve të sëmurë me kancer ose fëmijë me defekte në lindje. Studimet kanë treguar se pjesëzat që qëndrojnë në ajër pezull, produkt i djegies (incenerimit) janë ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës. Nga incineracioni prodhohet një varietet i gjerë ndotësish, të cilët janë shkatërrues për shëndetin e njeriut. Popullata e ndikuar nga këta ndotës përfshin ata që jetojnë afër incineratorëve, por edhe ata në zona më të largëta.
Shumë ndotës të emetuar prej inceneritorëve që përfshijnë metalet e rëndë dhe një numër të madh të ndotësve organikë shkaktojnë pasoja të tilla si, alterimin e gjeneve, ndryshimin e sjelljes, nxitin kancer të llojeve të ndryshëm, prekin sistemin imunitar e zvogëlojnë inteligjencën.
Inceneritorët modernë janë edhe më të rrezikshëm, sepse prodhojnë “ash fly” ose hi i përbërë nga grimca shumë të vogla që qëndron pezull në ajër, si dhe prodhojnë sasi të larta të dioksinave, të cilat janë vërtet shumë të rrezikshme e të vështira për t’u trajtuar.
Vendosja e hirit të prodhuar në vende depozitimi paraqet risk për të ardhmen pasi, nëse për një arsye ose tjetër këto substanca bëhen pjesë e ujërave nëntokësore, atëherë pasojat do të jenë shumë të rënda. Njerëzit janë të ekspozuar ndaj toksinave në mënyra nga më të ndryshmet:
Duke thithur ajrin e ndotur, i cili ndikon edhe punëtorët edhe bimët, të cilat jetojnë afër incineratorëve.
Duke ngrënë ushqime, të cilat janë infektuar nga ndotësit e ajrit nga incinatori.
Duke ngrënë peshk ose gjallesa shtazore të infektuara nga ndotësit e ajrit.
Djegia e mbetjeve paraqet kosto të larta sociale edhe për faktin se ndikimin e vet maksimal e ushtron mbi shtresat më të pambrojtura të shoqërisë si të sapolindurit e fëmijët ose nënat shtatzëna.

Ndikimi ekonomik

Në vendet e zhvilluara, pothuaj gjysma e investimeve shkon në sistemet e kontrollit për të reduktuar nxjerrjet toksike.
Në vendet në zhvillim ekziston një tjetër problem për arsye se vlera mesatare kalorifike e një mbeturine është 800 cal/kg dhe për t’u arritur me sukses djegia duhen 2000-3000 cal/kg.
E vetmja zgjidhje është shtimi me lëndë djegëse për të ndihmuar procesin, mirëpo kjo e bën atë më ndotës dhe më joekonomik se ç’është.
Ekspertët e incineracionit thonë se për të pasur një funksionim sa më të suksesshëm ekonomikisht duhet të ndërtohet një incinerator që djeg 1000 tonë mbeturina në ditë.
Kostoja për këtë incinerator është 100 milion $, për të mos përmendur koston e lartë të mirëmbajtjes së tij.
Gjithashtu është e rrezikshme vendosja e mbetjeve të incineracionit në landfille të çfarëdoshme. Për to duhen ndërtuar landfille të posaçme dhe kjo gjë ka gjithashtu një kosto tepër të lartë.

Ervin HOXHA

Exit mobile version