Deri më tani, mendonim se frigoriferi ishte “zgjidhja e sigurt” për ruajtjen e freskisë së të gjitha frutave dhe perimeve.
Megjithatë, është koha ta rishqyrtojmë këtë, pasi, sipas ekspertëve të të ushqyerit dhe ruajtjes së ushqimit, disa nga frutat dhe perimet tona të preferuara jo vetëm që nuk përfitojnë nga frigoriferi, por edhe prishen më shpejt.
Nga domatet te patatet dhe borziloku, shihni se cilat ushqime mbahen më mirë në temperaturë ambienti.
Domatet
Vendosja në frigorifer ua heq domateve shijen e tyre autentike. Edhe pse struktura e tyre mbetet e njëjtë, vendosja në frigorifer pengon formimin e komponimeve të paqëndrueshme që u japin atyre aromën dhe shijen karakteristike.
Kastravecat, patëllxhanët, specat
Si patëllxhanët, ashtu edhe kastravecat dhe specat nuk i favorizon i ftohti. Për shkak të temperaturave shumë të ulëta, ato mund të përkeqësohen, të krijojnë gropëza, ndërsa disa pjesë të tyre mund të zbuten dhe përfundimisht të kalben.
Qepë dhe hudhra të thata
Ndryshe nga qepët e njoma, qepët dhe hudhrat e thata nuk mund t’i rezistojnë lagështirës së frigoriferit. Mjedisi ideal për to janë vendet e freskëta dhe të ajrosura. Plastika i “mbyt” ato dhe i prish më shpejt, prandaj shpesh shiten të ngjeshura në rrjetë.
Patatet dhe patatet e ëmbla
Patatet dhe patatet e ëmbla nuk duhet të ruhen në frigorifer. Në temperatura të ulëta, një enzimë e quajtur “invertase” zbërthen saharozën në glukozë dhe fruktozë, dhe kjo mund të formojë një kimikat të quajtur “akrilamid” – një kimikat që është më mirë të shmanget. Idealisht, patatet dhe patatet e ëmbla duhet të ruhen në një vend të errët, të freskët dhe të thatë.
Frutat me bërthamë të verës
Frutat si qershitë, pjeshkët dhe kajsitë nuk duhet të futen në frigorifer para se të piqen plotësisht, pasi vendosja e parakohshme në frigorifer i bën ato pa shije dhe pa erë.
Avokado
Nëse avokado nuk është e pjekur, frigoriferi thjesht do ta vonojë pjekjen e saj. Lëreni në temperaturë ambienti derisa të zbutet pak dhe futeni në frigorifer vetëm kur të jetë gati për t’u ngrënë.
Borziloku
Edhe pse shumica e bimëve është më mirë të mbahen në frigorifer, borziloku bën përjashtim. Frigorifer e nxirë dhe e vyshk. Borziloku duhet të trajtohet si një buqetë me lule. E vendosim në një vazo me ujë dhe në këtë mënyrë e mbajmë gjallë dhe, në të njëjtën kohë, kuzhina jonë mban erë të mirë.