Mbi 17 500 ndërmarrje nuk paguajnë dot taksat

Numri i bizneseve në vështirësi financiare që nuk ia dalin dot të paguajnë detyrimet tatimore u rrit ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se në gjashtëmujorin e parë, listës së borxhit tatimor iu shtuan edhe 2756 biznese të reja. Këto janë biznese ndaj të cilave administrata ka kryer të gjitha hapat ligjorë për mbledhjen e detyrimeve, që nga njoftimi i vlerësimit tatimor deri tek bllokimi i llogarive bankare. Meqenëse edhe pas këtyre procedurave detyrimi nuk është paguar, atëherë ndërmarrjet janë vendosur në listën e borxhlinjve dhe ndaj pasurive të tyre është vendosur barra siguruese. Ekspertët thonë se praktikisht këto janë biznese në rrugën e falimentit, pasi faza tjetër pas vendosjes së barrës siguruese është sekuestrimi i aseteve të shoqërisë, por edhe atyre të aksionerëve. Numri i bizneseve në borxh, që nuk shlyejnë detyrimet filloi të rritej veçanërisht pas vitit 2012, kohë kur ekonomia ngadalësoi ritmet dhe qeveria rriti fort taksat e drejtpërdrejta mbi sipërmarrjen. Por, në dy vitet e fundit fenomeni është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme dhe sipas të dhënave zyrtare, aktualisht janë mbi 17 500 biznese mbi të cilat është vënë barra siguruese për mospagim taksash. Deri në fund të vitit 2012 numri i bizneseve në listën e borxhit tatimor ka qenë gjithmonë poshtë shifrës së 5 mijë ndërmarrjeve. Por numri filloi të rritet me ritme të shpejta veçanërisht pas vitit 2013, kur qeveria filloi rritjen e ndjeshme të barrës fiskale ndaj sipërmarrjeve. Në dy vitet 2014-2015, taksat në ekonomi u rritën me mbi 400 milionë dollarë. E kombinuar me ngadalësimin e thellë të ekonomisë dhe rënien e shitjeve nga ndrydhja e konsumit, kjo ka vënë gjithmonë e më shumë biznese në vështirësi për të shlyer detyrimet tatimore. Si rezultat nga rreth 4 mijë e 600 që ishte në fund të vitit 2012, aktualisht numri i bizneseve ndaj të cilave tatimet kanë vendosur barrë siguruese ka arritur në mbi 17 mijë e 500. Kjo është më shumë se 15 për qind e bizneseve aktive në vend, çka tregon për një situatë të vështirë financiare në radhët e biznesit.

Exit mobile version