Mbjellja e kanabisit në 2016, 5 fish më e lartë

Mbjellja e kanabisit në territorin e Shqipërisë është rritur 5 fish gjatë vitit 2016. Guardia di Finanzia dhe Policia e Shtetit publikuan dje, raportin e përbashkët të drogës së asgjësuar në përmbyllje të misionit të fluturimeve mbi territorin e Shqipërisë. Sipas raportit, vetëm në vitin 2016 janë asgjësuar 2.409.206 bimë kanabisi. Por bëhet e ditur se, raporti i ka të dhënat tronditëse. Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se, në raportin e Guardia Di Finaza për drogën e mbjellë në Shqipëri thuhet që sasia e kultivimit të drogës është pesëfishuar të paktën në 17% të territorit që ka kontrolluar Guardia Di Financa. Ndërsa për pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë, Guardia Di Finanza nuk ka të dhëna. Në raport thuhet se, policia i ka raportuar Guardia Di Finanza 2 mijë aksione kundër plantacioneve të kanabisit, por Guardia Di Fianaza ka mundur të verifikojë vetëm 20 aksione të tilla.
Pra, referuar shifrave të Policisë së Shtetit, në total llogaritet të jenë asgjësuar vetëm në vitin 2016, rreth 674.576 kg hashash, ndërsa minimumi i gramit të hashashit në shitje llogaritet 5 euro. Që do të thotë se 1 kg hashash kap vlerën e 5 mijë eurove. Pra, me një llogari të thjeshtë rezulton se vlera e 674.576 kg të hashashit të asgjësuar nga Policia vetëm në vitin 2016 llogaritet në rreth 3.372.880.000 euro. Pra, në vitin 2016 vetëm hashashi i asgjësuar përllogaritet në 3,3 miliardë euro, pa llogaritur këtu tonelatat me drogë që kanë kaluar drejt Italisë dhe Greqisë. Duke u bazuar në këto fakte, prodhimi vetëm për këtë vit llogaritet të jetë dhjetëra ton drogë.
Në të shumtën e rasteve mbjellja e kanabisit është mbajtur e fshehtë nga policia, për shkak se mjaft parcela kanë si pronarë drejtues policie dhe zyrtarë të lartë. Plantacionet me drogë janë zbuluar nga SHISH, që para një muaji ka dërguar një raport të detajuar në Prokurori. Prokuroria dhe SHISH i kanë intensifikuar aksionet në terren menjëherë pas deklaratës së bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, se në Shqipëri nuk ka më parcela me kanabis. Sasitë rekord, nga njëra anë përgënjeshtrojnë kreun e policisë dhe nga ana tjetër po nxjerrin zbuluar policinë me neglizhencën e saj për të goditur grupet e narkotrafikut dhe për të asgjësuar plantacionet e drogës.
Rasti i Vlorës, ku policia e ka deklaruar sipërfaqen “të pastër” është më flagranti. Policia ka hezituar të ndërhyjë edhe pas kërkesës së prokurorëve të Krimeve të Rënda, pasi “zona kontrollohej nga njerëz të lidhur me shefat lart”. Për këtë arsye u thirrën FNSH-në e Tiranës dhe Fierit.
I gjithë angazhimi i Prokurorisë në terren ka të bëjë me mosveprimin e policisë. Prokuroria dhe SHISH duket se po prekin pikërisht parcelat e “të paprekshmëve”, në zonat ku policia nuk ndërhyn “me dashje”, ku kultivuesit dyshohet se kanë lidhje me shefat në polici dhe qeveri.
Me konstatimet dhe hetimet në terren, prokurorët jo vetëm po zbulojnë dhjetëra ton drogë, por po ngushtojnë lakun edhe ndaj drejtuesve të policisë që dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit dhe nuk kanë ndërhyrë për të asgjësuar zonat e evidentuara nga raporti i SHISH, për shkak të lidhjeve me narkotrafikantët.

R.POLISI

Exit mobile version