Përmbyten Tirana, Vlora e Durrsi nga reshjet e shiut

Janë dashur vetëm 15 minuta shi, që e gjithë Tirana të gjendet nën pushtetin e ujit. Rrugët janë bllokuar nga reshjet e shumta të shiut, duke i nxjerrë edhe një herë në pah problemet e kryeqytetit. Përveç përmbytjeve, në Tiranë kanë shpërthyer edhe ujërat e zeza që kanë pushtuar rrugët. Situata më e rëndë ka qenë në zonën e Komunës së Parisit, ku ujërat e zeza kanë shpërthyer nëpër rrugë. Banorët shprehen se shkak i kësaj situate është bllokimi i pusetave dhe kanaleve kulluese.
Situata ka qenë tepër e rënduar në Vlorë. Një situatë problematike është krijuar dje në Vlorë për shkak të reshjeve të shiut. Vetëm 20 minuta shi dhe rrugët u mbuluan nga uji, çka ka sjellë probleme në lëvizjen e qytetarëve e sidomos fëmijëve, të cilët shkonin ose dilnin nga shkolla. Një nxënës, rreth 11 vjeç megjithëse po ecte me shumë kujdes bie në ujë me gjithë çantën e shkollës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Skelës”, ndërsa nxënësi kalonte nga “Rruga e Çipajve” në drejtim të “Aleksandrisë”. Shumë fëmijë të tjerë, kaluan rrugën mes ujit.
Më problematike situata paraqitet në Bulevardin “Vlorë-Skelë”, Lagjja “29 Nëntori”, Lagjja “Pavarësia” dhe në disa zona të “Skelës”, ku ka prani të madhe të ujit në rrugë. Kjo ka vështirësuar qarkullimin rrugor. “Jam një banor i lagjes “Varosh” tek shkolla “Musa Cakerri”. Kam 40 vjet në këtë lagje dhe nuk ka vënë asnjë njeri dorë këtu. Eshtë lagje kryesore, kalojnë dhe fëmijët venë në shkollë dhe askush nuk vë dorë këtu”, shprehet ai.
Ndërkohë, përmbytje ka patur edhe në Durrës. Si pasojë e reshjeve të shiut, rrugët janë mbuluar nga uji, ndërsa ka patur dëme edhe në disa banesa të kateve të para të pallateve. Më e vështirë situata paraqitet në rrugën “Aleksandër Goga” si dhe në shëtitore “Taulantia” e tek stacioni i trenit, por edhe në akset e tjera kryesore. Qytetarët është dashur të përvishen ose të mbathin çizme për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, megjithëse niveli i ujit është ngjitur edhe mbi trotuar.

Exit mobile version