Liverpuli ka fituar duartrokitjet për forcën e tij sulmuese këtë sezon. Por është një tjetër statistikë që të zë syri përveç shpërthimit të Sadio Manesë, Roberto Firminos dhe Filipe Kutinjos, të cilët e kanë katapultuar skuadrën në vend të dytë në Premier Ligë me 32 gola të shënuar (më shumë se çdo skuadër këtë sezon).
Është kapiteni Xhordan Henderson dhe roli i tij në mesfushën e “reds”-ve. 26- vjeçari, i cili vuajti të gjente vazhdimësinë në sezonin e parë të Jyrgen Klopit në “Anfield Road”, është më prezent se kurrë këtë edicion dhe ka pasur një rol kyç në 13 javët e para të kampionatit. Asnjë mesfushor në Premier Ligë nuk ka provuar të bëjë më tepër pasime sesa ai, 1132 dhe t’i ketë gjithashtu më të sakta se Hendersoni, 997.
Fernandinjo i Mançester Sitit renditet i dyti në të dyja këto lista, por i distancuar në mënyrë të konsiderueshme nga kolegu i tij (808 pasime të sakta nga 940). N’Golo Kante i Çelsit dhe Pol Pogba i Mançester Junajtid, plotësojnë katërshen e parë për tentativat e pasimeve dhe suksesin e tyre. Nemanja Matiç (Çelsi, 792); Xhek Livermor (Hull Siti, 769); Idrisa Gueje (Everton 721); Oriol Romeu (Sauthempton, 715) dhe Viktor Uaniama (Totenhem, 713) plotësojnë 10-shen e parë.
Por Henderson nuk ka qenë vetëm vendimtar në fazën e organizimit dhe vendosjes së ritmit në lojën e 18 herë kampionëve të Anglisë. Ai ka treguar edhe cilësitë e tij luftarake në qendër të mesfushës, ku është sërish një fushë, të cilën e dominon. Vetëm Idrisa Gueje i Evertonit ka kryer më shumë ndërhyrje sesa kapiteni i Liverpulit.