Mungesa e ngrohjes në shkolla, kopshte dhe çerdhe ka detyruar qeverinë t’i mbyllë ato për rreth një javë. Në fakt, Ministria e Arsimit bëri të ditur se shkollat parauniversitare dhe kopshtet në të gjithë vendin do të mbyllen për shkak të gripit, por arsyeja e vërtetë e mbylljes është mungesa e ngrohjes. Në të gjitha shkollat dhe kopshtet nuk ka ngrohje, ndërsa lekët e taksapaguesve përdoren për mobilimin e zyrave të qeveritarëve dhe luksin e shfrenuar të tyre.
Një punonjëse e Drejtorisë Arsimore bëri të ditur dje se, vendimi i qeverisë për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve në datat 4, 5 dhe 6 janar nuk ka lidhje me gjendjen e rëndë gripale në vend. Në një denoncim tek “Nisma Thurrje” ajo thotë se, shkak i pezullimit të mësimit janë temperaturat e ulëta që do të përfshijnë vendin këtë javë.
Sipas saj, shkollat në vend nuk kanë ngrohje ose kanë mjete primitive dhe në disa zona ato janë pa dyer dhe dritare. Sipas saj, ky është shkaku i pezullimit të mësimit dhe jo gripi. “Jam një punonjëse e Drejtorisë Arsimore dhe dua t’iu vë në dijeni për arsyen e vërtete të vendimit të qeverisë për të mbyllur shkollat dhe çerdhet, e cila nuk është prej gripit. Ditët e kësaj jave do të jenë shumë të ftohta dhe ne kemi vënë alarmin mbasi nuk ja dalim dot të ngrohim as shkollat dhe as çerdhet. Shumica e klasave nuk kanë ngrohje fare ose kanë mjete primitive dhe temperaturat në -10 gradë që parashikohen nuk i përballojnë dot. Kjo në Tiranë. Jashtë Tirane, sidomos në zonat malore dhe më periferike situata është shumë më e rëndë, sepse ka edhe klasa që nuk kanë xhama, apo dyer. Për rrjedhojë kërkuam që të pezullohet mësimi këtë javë mbasi parashikimi i motit thotë që java tjetër do të normalizohet. Nuk e kuptoj pse duhet gënjyer edhe për këtë gjë dhe nuk dilet hapur te njerëzit e të thuhen gjërat siç janë. Skemi o popull ngrohje për çerdhet dhe kopshtet për të përballuar këto lloj temperaturash. Unë besoj se njerëzit do e mirëkuptojnë, mbasi e dinë se ku jetojnë dhe ku i çojnë fëmijët. Gënjeshtra kot. Anonim ju lutem, sepse e kuptoni vetë”, shkruan punonjësja e Drejtorisë Arsimore.