Veriu izolohet nga i ftohti dhe bora

Verilindja e vendit është mbuluar nga dëbora. Trashësia e saj arrin deri në 50 cm në zonat malore. Përkeqësimi i motit në ditët e para të këtij viti po shoqërohet me rënie të ndjeshme të temperaturave, e shoqëruar me reshje dëbore, sidomos në zonat Veriore dhe Verilindore të vendit.
Kjo situatë po krijon vështirësi, sidomos në qarkullimin e mjeteve, ndaj përdoruesit e tyre këshillohen të përdorin zinxhirë.
Në rajonin e Pukës dhe të Kukësit trashësia e dëborës ka shkuar në disa centimetra. Në aksin Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, raportohet ka 30-50 cm borë, dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Në rrugën e “Kombit” dhe në akset e tjera rrugore janë vënë në dispozicion borëpastrueset, ndërsa situata më problematike paraqitet në fshatrat e thella malore.
Problematike situata paraqitet në Bulqizë e Dibër, ku disa zona raportohen të bllokuara, pasi mungon ndërhyrja në pastrimin e rrugëve nga dëbora. Sipas burimeve, mungon kripa dhe skorja në aksin Qafë Buall-Krastë, pasi firmës që merrej me mirëmbajtjen e rrugës i ka mbaruar kontrata. Sipas banorëve të zonës, dy persona të sëmurë e kanë të pamundur të marrin ndihmë mjekësore.
Bashkia e Kukësit thotë se, “intensiteti i reshjeve të dëborës u shtua gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa Shtabi i Emergjencave i Bashkisë po qëndron në koherencë me situatën”. Zonat më problematike në Kukës janë Arrni, Kalisi, Grykëçaja, Bushtrica, Topojani, Shishtaveci dhe Surroj. Mjetet borëpastruese nisën menjëherë nga puna për hedhjen e kripës në rrugët e qytetit, ndërsa bashkia vuri në gatishmëri edhe mjetet të saj për të ndërhyrë në rast nevoje.
Bashkia garanton të gjithë qytetarët e saj se do të bëjë gjithçka për të mbajtur situatën nën kontroll dhe rrugët të qarkullueshme. Përkeqësimi i motit pritet të intensifikohet në fundjavë, kur temperaturat parashikohen të shkojnë nga -4 gradë deri në -20 gradë.

Exit mobile version