Një person është mbytur pasditen e djeshme tek Liqeni Artificial në Tiranë. Policia është njoftuar nga qytetarët rreth orës 17:00, të cilët kanë deklaruar se një burrë i moshës rreth 45-50 vjeç është futur për t’u larë në liqen dhe nuk ka dalë më. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi i polumbarëve, të cilët kanë nxjerrë pas disa minutash kërkime trupin e pajetë të një burri rreth 50 vjeç. Policia ende nuk ka të dhëna për identitetin e personit që është mbytur. Policia bën të ditur se, më datë 31.07.2017, rreth orës 17:00, në numrin e Emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për një shtetas të mbytur tek Liqeni Artificial.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ambulanca dhe grupi i polumbarëve të RENEA-s. Rreth orës 19:20 nga grupi i polumbarëve u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë nga liqeni. Nga verifikimet paraprake rezulton se trupi i pajetë i përket një shtetasi të gjinisë mashkull, rreth moshës 50 vjeç, rreth 1 e 70 i gjatë dhe me flokë të rëna. Po punohet për identifikimin e trupit të pajetë. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve, shtetasi është futur në Liqenin Artificial për t’u larë dhe nuk ka dalë më. Grupi hetimor po vazhdon punën për zbulimin e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.