Ajo çka nisi si një vatër e vogël zjarri në malin e Llogarasë, tani ka marrë përmasa të mëdha. Bëhet e ditur se shërbimet zjarrfikëse të Vlorës dhe Himarës janë njoftuar, por deri më tani ende nuk ka asnjë ndërhyrje, ndoshta edhe prej terrenit të thepisur, siç mund të shihet edhe nga videoja. Mësohet se vetëm pas 8 orësh ka nisur operacioni për fikjen e kësaj vatre zjarri. Ndërkohë që vatra e zjarrit sa vjen e po zgjerohet në sipërfaqe edhe më të mëdha.
Dje në mesditë është dërguar një helikopter për shuarjen e zjarrit në Llogara. Helikopterit i është dashur të bëjë plot dy “xhiro” kot mbi vatrat e zjarrit. Kjo, pasi pilotët nuk e kishin vënë re që depozita e ujit u derdhej rrugës dhe në vend që të shuanin flakët, ofruan plot 2 herë një “shi” për plazhistët e Drimadhes.
Po ditën e djeshme, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat me ullinj e shkurre në kodrat e Shijonit në Elbasan. Bëhet e ditur se zjarri po përparon si pasojë e erës dhe po u afrohet banesave. Po ashtu është riaktivizuar zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe pyll ahu në malin Babje, Njësia Administrative Qendër, Bashkia Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 1 ha me shkurre e ferra dhe disa drurë ahu.
Emergjencat Civile raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 5 vatra zjarri në pyje e kullota. Në fshatin Zhuri, Njësia Administrative Ndroq, Bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe ferra.
Në Pyllin e Sodës, pranë Petroliferës, në Bashkinë Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe disa pisha.
Në fshatin Tërbaç të Bashkisë Vlorë, ka rënë zjarr në vendin e quajtur Maja e Qorres. Shërbimi i MZSH Vlorë e ka pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor. Zjarri i favorizuar dhe nga era ka dalë nga krahu tjetër i malit në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë, Bashkia Orikum. Një helikopter është angazhuar në operacion për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Suk, Bashkia Këlcyrë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me lisa. Shërbimi i MZSH Këlcyrë së bashku me banorë të zonës dhe punonjës të bashkisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar me mjete rrethanore për të shuar zjarrin. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre dhe disa lisa.