Më 2015 DEA amerikane po hetonte Rroshin për trafik droge dhe pastrim parash

Në vitin 2015, kur Elvis Rroshi ushtronte mandatin e tij si kryetar i Bashkisë së Kavajës e madje ishte në garë për një mandat të dytë, DEA amerikane ka informuar autoritetet zvicerane se ata po hetonin një qytetar me emrin Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash dhe për këtë gjë Zvicra po kryen hetime të mëtejshme. Prokuroria urdhëroi të hënën arrestimin e Elvis Rroshit, kryebashkiakut të Kavajës, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ku dhe në formularin e dekriminalizimit nuk ka treguar shumë prej veprave penale për të cilat dyshohet se ka kryer gjatë viteve 1990-2010 në Europë. Akuza thotë se në çështjen e kryebashkiakut të dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi ka si prova kundër tij përveç formularit të vetëdeklarimit edhe dy shkresa të përcjella përmes Interpol Tiranës në të cilat autoritetet e huaja përcjellin informacion për të. Në përgjigje të 8 qershorit, Zvicra njofton Shqipërinë se ky shtetas njihet me emrat: Ervin Rroshi, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli, Enver Rroshi, Enver Proshi. Zvicra shton se në prill 1993, Roshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në datën 14 maj, ai është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast të dyshuar droge. Prokuroria thotë se sipas homologëve duke qenë se ky rast ka 20 vjet nuk është bërë e mundur të sigurohen më tepër detaje. Zvicra shton se më datën 14 shtator 1993, Elvis Rroshi është dëbuar për në Shqipëri, ndërkohë që në korrik 1997 ai ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme duke kërkuar sërish azil. Një muaj më pas me urdhër të Gjykatës së Zyrihut ai është dëbuar. Gjithashtu, sipas Prokurorisë Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian duke pasqyruar të dhëna të rreme. Prokuroria shton se autoritetet gjermane të drejtësisë në përgjigjen e tyre kanë theksuar faktin se sipas ligjit nuk lejohet transmetimi i të dhënave personale pa u informuar më parë mbi faktet ekzakte të këtij hetimi. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u arrestua të hënën me urdhër të gjykatës, pasi akuzohet se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut. “Nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës”, tha këshilltari për mediat i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. Hetimi për Rroshin nisi kryesisht nga Prokuroria e Tiranës më 1 qershor, pasi kryebashkiaku i shumëdiskutuar i Kavajës dorëzoi formularin e vetëdeklarimit, i detyrueshëm për t’u plotësuar nga një numër i madh zyrtarësh të lartë. Në formular, Rroshi kishte vetëdeklaruar vetëm një ndalim në Mynih të Gjermanisë, ndërsa në kuadratin e arsyes ai kishte shkuar “nuk më kujtohet”. Megjithatë, hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skedë të pasur kriminale të kryebashkiakut të Kavajës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.

Dosja e Europol për dënimet e Roshit: Fillojnë në 1993 deri në vitin 2000

Agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Europian e njohur si EUROPOL-i, është institucioni që ka zbuluar të kaluarën kriminale të Elvis Roshit, kreut të Bashkisë së Kavajës.
Informacionet që EUROPOL-i ia ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, kanë bindur këtë të fundit se kreu i Bashkisë së Kavajës, Roshi, ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”. Vepër kjo e kryer pas plotësimit dhe dorëzimit të formularit të “dekriminalizimit” pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“ABC News” ka siguruar një kopje të vendimit të gjyqtarit të masës Dritan Caka, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Roshin. Në këtë vendim, thuhet se kreu i Bashkisë ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, pasi nuk ka deklaruar 5 emrat e ndryshëm që ka përdorur ndër vite në Europë. Nuk ka pasqyruar në formular, arrestimet, dëbimet dhe dënimet e marra nga drejtësia italiane dhe ajo e Zvicrës.
Sipas provave të sjella nga EUROPOL-i, kreu i Bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe me emrin Enver Proshi. Të pesë këto emra, kreu i Bashkisë i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht.
Sipas vendimit, e kaluara e tij kriminale ka nisur në prill të vitit 1993, kur Roshi ka hyrë ilegal në Zvicër, duke kërkuar azil. Vetëm pak ditë më pas, konkretisht më 14 maj 1993 është arrestuar nga autoritetet zviceriane me drogë. 4 muaj pas arrestimit, më 24 shtator të 1993, Roshi rezulton se është dëbuar me vendim të Gjykatës zviceriane, duke mos e dënuar për drogën, pasi dyshohet se mund ta kishte për konsum. Për të vazhduar më pas në vitin 1995 është arrestuar në Itali, për përdhunim në grup në një kamp emigrantësh të paligjshëm. Ditën e arrestimit ndaj tij është dhënë vendim dëbimi për t’u larguar nga Italia. Në korrik të vitit 1997 me gjeneralitete të ndryshuar, Roshi ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër, duke kërkuar azil. Por një muaj më pas është arrestuar dhe është dëbuar përsëri nga shteti zvicerian. Po në vitin 1997, rezulton se është ndaluar nga policia italiane në Milano dhe është pyetur për akuzën e përdhunimit, ku Rroshi rezulton se ka bërë deklaratë të rreme, pasi kishte ndryshuar edhe gjeneralitetet. Po për të njëjtin fakt, Roshi është kontrolluar edhe në vitin 2000 për akuzën e vitit 1993 dhe më pas është lënë i lirë.
Sipas Prokurorisë, të gjitha këto të dhëna, si emrat e përdorura, arrestimet, dëbimet dhe dënimet Elvis Rroshi nuk i ka pasqyruar në formularin e deklarimit, për të cilën do të mbajë edhe përgjegjësi penale.

Mediat amerikane për arrestimin e Roshit: Fshehu dënimet për krime

Stacioni amerikan FoxNews ka dhënë lajmin e arrestimit të kryebashkiakut të Kavajës dje, duke vënë në dukje se është i pari zyrtar që u kap nga një ligj i ri që ka vetëm 6 muaj që ka dalë. “Prokurorët thanë se, kryebashkiaku i një qyteti shqiptar u arrestua për përdorimin e dokumentacionit të falsifikuar për të fshehur të kaluarën e tij kriminale.
Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, 50 km në perëndim të kryeqytetit, Tiranës, është zyrtari i parë që arrestohet bazuar në një ligj prej vetëm 6 muajsh, të antikorrupsionit që kërkon verifikimin e zyrtarëve publikë.
Në një deklaratë nga zyra e Prokurorisë së Përgjithshme, të hënën thuhej se Roshi, 41 vjeç, solli dokumenta falso që fshihnin dënimet e tij për krime në Itali dhe Zvicër në vitet 1990. Prokurorët thanë se ai ishte dënuar për përdhunim në Itali, por nuk dhanë hollësi të tjera.
Ligji i miratuar në dhjetor është konsideruar si një mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, një pengesë e madhe për ambicjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Exit mobile version