Me 3 Tetor nis llotaria amerikane, rregullat dhe dyndja masive për të ikun nga çmendina

Nga data 3 tetor ora 18:00 (me orën në Shqipëri) fillon aplikimi për Lotarinë Amerikane. Para se të aplikoni lexoni përgjigjet e dhëna nga ambasada në faqen e saj zyrtare të pyetjeve më të shpeshta. Sqarohen gabimet që nuk duhet të bëni, data, kushtet që duhet të plotësoni
Cilat janё kërkesat pёr arsim ose përvojё pune?
Ligji dhe rregullat e Emigracionit të Shteteve të Bashkuara kërkojnë që çdo aplikant duhet të ketë të paktën një arsim të shkollës së mesme ose ekuivalentin e saj, ose brenda pesë viteve të fundit të ketë dy vjet përvojë pune në një profesion që kërkon përvojë ose trajnim të paktën dy vjet. Një “arsimim i shkollës së mesme ose ekuivalente” përkufizohet si përfundimi me sukses i një kursi dymbëdhjetëvjeçar fillor dhe të mesëm në Shtetet e Bashkuara OSE përfundimin e suksesshëm në një vend tjetër të një kursi arsimi zyrtar të krahasueshëm me filloren dhe të mesmen të një shkolle në arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara.
Vetëm kurset zyrtare të studimit e përmbushin këtë kërkesë, kurset e korrespondencës, me kohë të pjesshme, ose çertifikata të ngjashme (të tilla si me kohë të pjesshme G.E.D.) nuk janë të pranueshme. Prova të dokumentuara të edukimit ose përvojës së punës duhet t’i prezantohen zyrtarit konsullor në kohën e intervistës për vizë. Nëse ju nuk i përmbushni kërkesat për edukim ose për përvojë pune, regjistrimi juaj do të skualifikohet në ditën e intervistës për vizë dhe as juve e as anëtarëve të familjes suaj nuk do t’ju lëshohet vizë.
A ka njё moshё minimale pёr tё aplikuar pёr programin e E-DV-sё?
Nuk ka moshë minimale për të aplikuar për programin, por kërkesa për shkollim nga një shkollë e mesme ose përvojë pune për secilin aplikant primar në kohën e aplikimit do të ndikojë në skualifikimin e shumë personave që janë nën 18 vjeç.
Kur mund ta dorёzoj aplikimin tim?
Periudha e regjistrimit pёr aplikimin elektronik për DV-2020 do të fillojё nga ora 12:00 në mesditë, Ora Ditore Lindore (GMT-4), e mërkurë, 3 tetor 2018, dhe do përfundojnë në orën 12:00 mesditë, Ora Standarte Lindore (GMT-4) e martë, 6 nëntor 2018. Asnjë aplikim nuk do të pranohet pas mesditës (EST), e martë, 6 nëntor 2018.

Unё jam nё SHBA. A mundem unё tё aplikoj pёr programin e DV-sё?
Po, njё aplikant mund tё jetё nё Shtetet e Bashkuara ose nё njё shtet tjetёr dhe aplikimi mund tё kryhet nga kudo ndodheni.
Mё duhet tё aplikoj vetёm njё herё gjatё periudhёs sё regjistrimit?
Po, ligji lejon vetëm një aplikim nga/ose për secilin person gjatë çdo periudhe të regjistrimit. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të identifikuar aplikime të shumëfishta. Individët që kanë dorëzuar më shumë se një aplikim do të skualifikohen.
A mundet secili nga bashkëshortët të dorëzojë aplikim veçmas?
Po, secili nga bashkëshortët mund të dorëzojë një aplikim veçmas, nëse secili përmbush kërkesat ligjore. Në qoftë se njëri prej tyre përzgjidhet, tjetri ka të drejtë të aplikojë për statusin e personit ndjekës (derivativ). Mos harroni: secili nga ju duhet të përfshijë bashkëshorti/en dhe çdo fëmijë të kualifikueshëm për lotarinë në aplikimin tuaj.
Cilët anëtarë të familjes duhet të përfshij unë në aplikimin tim elektronik për lotarinë?
Bashkëshorti/ja: Ju duhet të përfshini bashkëshortin apo bashkëshorten pavarësisht faktit se ai/ajo jeton apo ka ndërmend ose jo të emigrojë në Shtetet e Bashkuara. Ju duhet të pёrfshini bashkëshortin/en tuaj edhe nëse ju jeni tashmë të ndarë prej tij/saj, përveç rasteve kur jeni ligjërisht të ndarë (p.sh. ka një marrëveshje të shkruar që njihet nga një gjykatë apo një vendim gjykate). Nëse jeni ligjërisht të ndarë, ju nuk keni nevojë për të përfshirë ish-bashkëshortin/en tuaj në aplikim, sidoqoftë ju nuk do të cënoheni nëse e përfshini atë.
Nëse jeni divorcuar apo bashkëshorti/ja juaj nuk jeton më, mos e përfshini ish-bashkëshortin/en tuaj në aplikim. I vetmi pёrjashtim nga kjo kёrkesё ёshtё nёse bashkёshorti/ja juaj ёshtё tashmё qytetar amerikan, ose me green card. Njё bashkёshort/e qё ёshtё tashmё qytetar amerikan, ose me green card nuk ka nevojё t’i lёshohet vizё lotarie. Ndaj, nёse ju zgjidhni “i/e martuar dhe bashkëshorti/ja ime është qytetare amerikane, ose me green card”, ju nuk do t’ju dalё opsioni qё tё pёrfshini informacion pёr bashkёshortin/en tuaj.

Fёmijёt: Ju duhet të pёrfshini të GJITHË fëmijët tuaj që janë të pamartuar dhe nën 21 vjeç në kohën e aplikimit tuaj fillestar E-DV, pavarësisht nëse janë fëmijët tuaj biologjikë, fëmijët e bashkëshortit/es tuaj (edhe pse tashmë mund të jeni i ndarë nga prindi i fëmijës), fëmijët e bashkëshortit/es suaj, apo fëmijët që ju keni birësuar zyrtarisht në përputhje me ligjet e vendit tuaj. Përfshini të gjithë fëmijët nën 21 vjeç në kohën e aplikimit tuaj elektronik, edhe nëse ata nuk banojnë me ju apo nuk mendoni që ata do të emigrojnë në kuadrin e programit DV. Nuk ju kërkohet të përfshini fëmijët të cilët tashmë janë shtetas Amerikanë apo Rezidentë të Përhershëm të Ligjshëm, sidoqoftë ju nuk do të cënoheni nëse i përfshini ata. Prindërit apo motrat/vëllezërit e të regjistruarit nuk janë të kualifikueshëm për të përftuar statusin e personave në ngarkim, dhe ju nuk duhet t’i përfshihni ata në formularin tuaj.
Duhet të aplikoj vetë, apo dikush tjetër mund të aplikojë për mua?
Ju inkurajojmë fuqimisht të përgatisni dhe dorëzoni aplikimin tuaj (aplikimin elektronik fillestar), por mund të keni edhe dikë tjetër që t’ju ndihmojë të aplikoni. Pavarësisht se nga kush është bërë aplikimi fillestar për lotarinë, pra nga vetë individi, apo nga një avokat, mik, i afërm, etj., vetëm një regjistrim mund të paraqitet në emrin tuaj. Ju si aplikant keni përgjegjësinë të siguroheni që informacioni i dërguar në formularin e regjistrimit është i saktë dhe i plotë; formularët që nuk janë të saktë dhe të plotë do të skualifikohen. Aplikantët duhet të ruajnë numrin personal të konfirmimit që të munden në mënyrë të pavarur të kontrollojnë statusin e aplikimit të tyre nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistrimit (Entrant Status Check) në ëëë.dvlottery.state.gov. Të regjistruarit duhet të kenë akses tek adresa e postë elektronike që vendosën tek aplikimi elektronik për E-DV.
Unë tashmë jam regjistruar në një kategori tjetër për vizë emigrimi. A mundem të aplikoj edhe për programin e DV-së?
Po.
Kur do të jetë në dispozicion E-DV-ja elektronikisht?
Ju mund të regjistroheni online gjatë periudhës së regjistrimit që fillon në 12:00 (mesditë) Ora Ditore Lindore (EDT) (GMT-4) e mërkurë, 3 tetor 2018; dhe që përfundon në 12:00 (mesditë), Ora Standarte Lindore (EDT) (GMT-5) e martë, 6 nëntor 2018.
A do të mundem të shkarkoj dhe ruaj formularin elektronik E-DV si dokument dhe ta plotësoj më pas?

Jo, ju nuk do të jeni në gjendje që të ruani formularin e plotësuar në një program tjetër dhe ta dorëzoni atë më vonë. Formulari i regjistrimit për lotarinё E-DV është formular vetëm për internet. Ju duhet të plotësoni informacionin dhe ta dorëzoni ndërkohë që jeni online.
A mundem të ruaj formularin në internet dhe ta përfundoj atë më vonë?
Jo. Formulari i regjistrimit të E-DV-së (lotarisë elektronike) është projektuar që të plotësohet dhe dorëzohet njëherësh. Ju do të keni gjashtëdhjetë (60) minuta kohë që fillon me shkarkimin dhe plotësimin e formularit, deri në përfundimin dhe regjistrimin në adresën e internetit të E-DV-së. Nëse më shumë se gjashtëdhjetë minuta kalojnë dhe ju nuk e keni përfunduar dhe regjistruar formularin tuaj në mënyrë elektronike, informacioni i dhënë deri nё atё moment do tё fshihet. Sistemi fshin të gjitha regjistrimet e pjesshme që më vonë të mos përcaktohet aksidentalisht si dublikatë apo formular.
Nëse sistemi nuk ma pranoi formularin fillestar E-DV, a mundem të ridërgoj formularin tim?
Po, pёr sa kohё qё aplikimi juaj dorёzohet pёrpara orёs 12:00 (mesditë), Ora Standarte Lindore (EDT) (GMT-5) e martë, 6 nëntor 2018. Nëse fotografia/ (fotografitë) nuk i plotësojnë të dhënat teknike, regjistrimi juaj nuk do të pranohet nga interneti i E-DV-së, kështu që ju nuk do të merrni një njoftim konfirmues. Megjithatë, duke u nisur nga natyra e paparashikueshme e internetit, ju mund të mos e merrni menjëherë njoftimin për refuzim. Nëse ju mund të korrigjoni fotografinë /(fotografitë) dhe të ridërgoni Pjesën e Parë apo të Dytë të formularit brenda 60 (gjashtëdhjetë) minutave, ju mund të jeni në gjendje që të paraqisni regjistrimin tuaj me sukses. Përndryshe, do t’ju nevojitet të rifilloni procesin e regjistrimit.

Ju duhet të mundoheni të paraqisni një formular aq herë sa të jetë e nevojshme deri në pranimin e plotë të formularit dhe deri në njoftimin për marrjen e konfirmimit. Njëherë që merrni njoftimin për konfirmim, regjistrimi juaj ka përfunduar dhe ju NUK duhet të plotësoni një regjistrim shtesë.
Sa kushton regjistrimi në programin e E-DV-së?
Nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar elektronikisht për lotarinë. Sidoqoftë, nëse ju jeni përzgjedhur, duhet të paguani të gjitha tarifat për vizë të kërkuara në kohën e aplikimit për vizë si dhe intervistë drejtpërdrejt tek arkëtari konsullor në Ambasadën e Shteteve te Bashkuara apo Konsullatë.
Kur dhe si merret përgjigjia?
Aplikantët mund të kryejnë aplikimin elektronik në faqen zyrtare të E-DV, gjatë periudhës së regjistrimit. Udhëzimet e DV janë gjithashtu në dispozicion në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit. Duke filluar nga 7 maji 2019, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2020 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve.

Exit mobile version