Nga Alban Daci
Betejën time për të votuar ata që jetojnë jashtë e kam nisur që në vitin e largët tashmë të 2009! Në atë kohë, jo vetëm që nuk ishte një çështje, por ndoshta nuk ishte as në imagjinatën e shumicës së politikanëve apo të atyre që janë sot kandidat dhe ofertë politike edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë! Në fakt disa, jo vetëm janë një ofertë e vjetër, por nuk janë as ofertë fare për shqiptarët që jetojnë jashtë, sepse në jetën e tyre nuk kanë asnjë ditë eksperiencë jete prej emigranti.
Të jetuar në një vend europian, edhe pse në cilësinë e emigrantit, na mundësonte të ishim një hap para për shumë procese politike që konsideroheshin jashtë realitetit në politikën shqiptare. Nga 2009 e derisa sot që u bo realitet që shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë, nuk kam reshtur duke kontribuar që të bëhej realitet dhe në formën më efikase dhe më demokratike të mundshme. Kam shkruar pa fund artikuj, kam dhënë intervista dhe kam mbajtur edhe qëndrime politike kur kam pasur angazhim politik edhe pse të shkurtër që procesi i votës që emigrantët të realizohej në formën më të mirë demokratike me metoda të njohura, të thjeshta, jo të komplikuara dhe duket respektuar kriteret që parashikohet në ligj për ushtrimin e votës.
Tashmë emigrantët kanë mundësi të votojnë e janë të barabartë me ata që jetojnë në Shqipëri duke qenë të barabartë në ushtrimin e të drejtës themelore demokratike siç është e drejta për të votuar. Megjithatë, emigrantët nuk duhet të kenë iluzionin se ky është një proces që mbaron këtu. Ai siç çdo proces që aplikohet për herë të parë kanë nevojë për ndryshime e përmisime të vazhdueshme.
Me rëndësi është fakt, se trajektorja e këtij procesi do të jetë vetëm progresiv dhe nuk ka më asnjë mundësi të ketë kthim mbrapa e ndoshta edhe me iluzionin e një mohimi të ri të mundshëm. E drejta e votës në vendet demokratike ka njohur vetëm trajektore progresive, në fillim kishin të drejtë të votonin vetëm disa, pastaj kishin të drejtë të votonin vetëm meshkujt e derisa në fund kjo e drejtë u bo universale duke I dhënë të drejtën e votës çdo qytetari që bën 18 vjeç qoftë në ditën e zgjedhjeve. Madje, tashmë në shumë vende duke përfshirë edhe Republikën tonë Parlamentare kanë të drejtë edhe ata që janë të dënuar dhe po vuajnë dënimin për shkak të qasjes që kanë pasur ndaj normave juridike në fuqi të aplikueshme me parimin “ligji i barabartë për të gjithë”.
Në rrugëtimin tim të betejës për ushtrimin e të drejtës të votës aty ku jetojnë emigrantët kam njohur shumë të tjerë që e kanë konsideruar një kauzë të rëndësishme e të drejtë si unë, por asnjëri nga ata nuk wshtw sot në listat e subjekteve politike për të përfaqësuar në mënyrë politike dhe demokratike, të paktën kauzën në të cilin besonin.
Subjektet politike ua kanë dhënë me hile këtë të drejtë emigrantëve, duke u dhënë vetëm gjysmën e parë të të drejtës “atë për të votuar” dhe duke ju mohuar pjesën e dytë “të drejtën edhe për tu votuar” që demokratisht është me rëndësishme edhe se para.
Emigrantët shqiptarë në listat e subjekteve politike duhet të zgjedhin përsëri mes beniaminëve të krerëve të partive, që kanë më shumë se një mandat, jetojnë në Tiranë dhe duan edhe një mandat të dytë e shpesh pse jo edhe të tretë duke dëshmuar se angazhimin politik e kanë vetëm një profesion që ju siguron të ardhura të mira, të paguhen për punën e deputetit që shpesh e ushtrojnë keq e rrallë nuk e ushtrojnë fare duke u shndërruar vetëm në kartona për të realizuar qëllimet dhe interesat e liderëve të tyre.
Parlamenti i Shqipëri nga 2013 e deri më sot është kthyer në një mjedis jo përfaqësimi për sovranin siç duhet të jetë në misionin e tij kushtetues, por një mjedis me “shurdhë” e “memec”, shpesh as emrat e tyre nuk i dimë e po ashtu as nuk ju kemi dëgjuar zërin për legjislatura të tëra për të kuptuar nëse dinë të flasin të paktën shqip ose jo.
Përbërja e listave të subjekteve politike edhe në këto zgjedhje dëshmon qartë se ata nuk janë të interesuar për një përfaqësim serioz dhe proporcional të zgjedhësve. Mjafton të shikojmë faktin se në një fushatë në nivelet e sureales vinin e kërkonin votën tek emigrantët me justifikimin për të përfaqësuar ata, që tashmë pjesë e një establishment, disa prej tyre s’kanë qenë kurrë emigrant, s’kanë jetuar asnjëherë jashtë, por kanë premtuar se me një mandat të dytë e pse jo të tretë, duke jetuar në Tiranë dhe nga Tirana do të përfaqësojnë emigrantët! Me siguri do e bëjnë ashtu siç kanë bërë derisa e drejta e ushtrimit të votës të bëhej realitet, duke mos trajtuar në mënyrë serioze asnjë nga problematikat që emigrantët hasin në vendet ku jetojnë.
Në mënyrë dëshpëruese për të kapur trenin që këta politikanë apo subjekte politike kanë humbur me emigrantët u përpoqën të improvizojnë edhe pseudo programe të dedikuar për ta. Harrojnë se projekti më i rëndësishëm dhe më i thjeshti për tu implementuar është që Atdheun të mos e konsiderojnë pronë të tyre privatë, por pjesë të çdo shqiptari, pavarësisht se ku jeton dhe të na bëjnë të ndjehemi të sigurt dhe krenar për institucionet tona shtetërore, pavarësisht nga fakti se kush e ka “radhën” për të qeverisur. Në fakt pushteti në Shqipëri nuk ka qenë e nuk është konsideruar asnjëherë model qeverisje, por çështje radhe, njëherë “Ne” dhe njëherë “Ju”. Kështu po thonë edhe disa nga Opozita se këtë herë është “Radha Jonë”.
Emigrantët duhet të jenë të vetëdijshëm se ushtrimi i të drejtës të votës aty ku jetojnë është vetëm fillimi i një betejë të gjatë politike. Ata duhet të vazhdojnë të luftojnë edhe për breza nëse është e mundur që të kenë të drejtën e tyre legjitime demokratike që edhe të zgjidhen dhe të jenë përfaqësues të drejtpërdrejtë në Kuvendin e Shqipërisë.
Siç e kam thënë edhe herë të tjera, prindërit shqiptarët duhet të vazhdojnë ti rrisin fëmijët e tyre me frymëzimin për të vazhduar lidhjen e tyre të natyrshme me Atdheun, që opsionin për tu kthyer e për të kontribuar drejtpërdrejtë të mos e largojnë për asnjë çast nga ëndrrat e tyre. Prindër emigrantët duhet ti frymëzojnë fëmijët e tyre aty ku jetojnë të realizojnë edhe përmes tyre ëndrrat e tyre që mbeten për fat të keq në sirtar, sepse koha dhe realiteti nuk ua mundësojë t’i bënin realitet.