Më pak vaj ulliri, rritet lehtë çmimi: Një litër po kushton 800 lekë

Më pak sasi, por cilësi më e mirë. Prodhuesit e vajit këtë vit ankohen për rënie të rendimentit të ullirit. Si ngushëllim po shërben, të paktën për momentin, po shërben cilësia dhe çmimi.

“Prodhimi i vajit këtë vit ka qenë shumë dobët. Ka një rënie nga vjet. Po vijnë te fabrika me 4-5 KV ullinj nga 40 KV që kishin vjet. Shirat prishën lulet e vera e thatë i rrëzoi kokrrat”, thotë përpunuesi i ullirit Xhezo Lame.

Një litër vaj ulliri i paambalazhuar po shitet mesatarisht për 700 deri në 800 lekë, 100 lekë më shtrenjtë se në po të njëjtën kohë të një viti më parë.  Kjo për shkak se në treg po ka pak prodhim.

“Unë kam 250 rrënjë ullinj ulli i ri dhe kam 20 rrënjë ulli shekullor. Ulliri shekullor bën një herë në tre vite. Një KV nga ulliri shekullor nxjerr 25 litra vaj, ndërsa nga këta të rinjtë 15 litra”, shprehet Bujaq Luci, kultivuesi i ullirit.

Rënia e prodhimit vihet re edhe te eksportet. Nga mbi 3 mijë e 800 litra vaj të eksportuar në janar tetorin e një viti më parë, këtë vit shitjet jashtë vendit kanë rënë në rreth 2 mijë e 400 litra. Tkurra përllogaritet në rreth 58 për qind.

“Ulliri si pemë fillon e lulëzon nga java e dytë e majit e përfundon nga fundi i muajit. Më pas nis formimi i frutit. Këtë vit ne nuk rritëm të kishim një prodhim të lartë për shkak se polenizimi i lules nuk u mund për shkak të shirave”, thekson Onejda Kyçyk, pedagoge në UBT.

Veç kushteve klimatike, si shkak i rënies së prodhimit të vajit renditet edhe mungesa e plehëruesve. Kjo pasi fermerët ankohen se gjenden në pamundësi ekonomike.

“Asnjëherë për ullishten nuk jepet asgjë. Jepet vetëm për prodhimet në ar dhe sera. Ne kemi nevojë për ndihmë”, deklaron Aranit Cajri, kultivuesi i ullirit.

Shqipëria ka afro 11 milion pemë ulliri, ku afro 8 milionë pemë llogariten në prodhim. Sipas shifrave më të fundit sasia e prodhuar regjistrohet në afro 100 mijë ton ullinj në vit. Kultivimi  i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është i bazuar kryesisht në biznese familjare. Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj  dhe nga këto vetëm 2/3 janë të regjistruara. Italia është shteti kryesor drejt së cilit shkon vaji i prodhuar.

Exit mobile version