Paradoksi/ Nuk ka banesë, por i duhet të paguajë taksën e shtëpisë. Rrëfimi i Lule Gjokajt, banores së Vorës….

Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar çështja e rindërtimit. Gazetarët janë ndalur në Bashkinë e Vorës, atje ku shumë familje qëndrojnë në kontejnerë në pritje që premtimi për të pasur një banesë do të bëhet realitet. Por duket se shpresat i kanë humbur, edhe pse mendojnë se me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, mund të hyjnë në banesat e reja.

Njëri prej banorëve thotë se pallatet e ndërtuara në Vorë po zbukurohen në fasada sepse do të inagurohen në prag të zgjedhjeve. Ndërkohë ka qindra banorë që enden rrugëve të pastrehë.

“Ka filluar të bëhet grafiata atje në Vorë, le t’ua bëjnë se edhe ata janë njerëz. Por më parë le të futen njerëzit brenda pastaj bëni grafiaton. Nuk bëhet grafiato, ndërsa ne rrimë në mes të rrugëve, vazhdojmë pa ujë dhe drita në mes të katër rrugëve. Po kush e pruri këtë fond për të bërë grafiato? Por ne jemi populli i Vorës ne e votojmë”, shprehet banori.

“Jam nga Palaçi, bashkia Vorë, më ka thënë që do të ndërtojnë pallatin dhe do të strehohemi me 17 familjet, të cilëve i janë shembur shtëpitë nga tërmeti pallati ku jetonim në Marqinet. Po kështu janë banorë nga Preza, Palaçi etj.

Sipas bashkisë bëhemi 53 familje të cilat na janë prishur shtëpitë nga tërmeti dhe na është premtuar që do të merrnim shtëpi të reja, në Marqinet. Shkojmë në Bashki na presin shumë mirë por nuk na ofrojnë më zgjidhje dhe as strehim, na kanë hequr edhe bonusin e qirasë dhe tani kemi mbetur në mes të 4 rrugëve. Me çfarë shikojmë gjasat janë shumë të pakta që ne të strehohemi si të gjithë banorët e tjerë të Bashkive që kanë strehuar familjet e prekura nga tërmeti në apartamente”, shprehet një tjetër banor.

Eksperti i urbanistikës Gent Kaprata për emisionin Vetting shprehet se është shumë e qartë që kjo qeveri gjen mënyra pa fund për të krijuar probleme, në vend që t’i zgjidhë ato.

“Krijojnë probleme, qoftë edhe të pavullnetshme, për shkak të keqqeverisjes dhe pastaj synojnë që këto t’i zgjidhin ditën e zgjedhjeve. Kjo nuk është hera e parë. Besoj e keni dëgjuar që ka një VKM së fundmi e cila përfshin pushtetin vendor në çështjen e legalizimit, është e njëjta mendësi”, shprehet Kaprata.

Banorët kërkojnë me ngulm që Bashkia e Vorës të mbajë premtimin për banesat e reja.

“Zoti na fali, banesat na i shembi Bashkia me premtimin se do t’i bejnë të reja. Na lanë 5 vjet rrugëve, bredhim rrugëve, marrim plaçkat nga një shtëpi te tjera”, shprehet banori i Marqinetit.

Dhe ndërkohë që banorët presin banesat, Bashkia u thotë se nuk ka fonde.

“Këta janë banorët e këtij pallati, këtu ka shesh për ndërtim, këtu ka ujë e drita, ka kanalizime të ujërave të zeza. Këtu i ke të gjitha. Për çfarë arsye nuk bëhet kjo shtëpi”, pyet një prej banorëve.

“Bashkia nuk ka bërë asgjë, as ma merr mendja që të bëjnë gjë sepse Bashkia e Vorës ka falimentuar , nuk ka fonde për qira dhe as bonuse”, shprehet një tjetër banor.

Dhe si për ironi, këta banorë që sot nuk kanë një banesë, paguajnë një taksë shtëpie, e cila nuk ekziston.

Kjo ndodh me Lule Gjokën, të cilës i kërkojnë 250 mijë lekë taksa për shtëpinë që nuk e ka.

“Unë paguaj taksat, më kërkojnë 250 mijë, unë këto para i kam marrë borxh tek vëllai dhe i kam larë. Ku ti marr 200 mijë lekë të tjera? Unë pa shtëpi dhe të paguaj taksa, për çfarë arsye? Unë jetoj në shtëpi të huaj dhe të paguaj taksa? Mirë uji dhe drita se unë rri jetoj aty në atë shtëpi, nuk jam kundër por jo taksa. Unë pa shtëpi dhe katandi dhe të paguaj taksat? Për çfarë arsye? Shko merri ku të duash ti, ku ti marrë unë me një rrogë? Lekët për taksat ku ti marr?” shprehet Lule Gjoka.

Paradoksi/ Nuk ka banesë, por i duhet të paguajë taksën e

Lulja dhe shumë të tjerë kujtojnë ata që i kanë votuar, sepse besuan në premtimet e bëra dhe tani po paguajnë çmimin e zhgënjimit.

“Gjithë natën rrinë vërdallë sepse duan votat tona. Ia kemi dhënë votën çdo vit kush ka qenë ne i kemi dhënë votën dhe një shtëpi nuk na kanë bërë. Një grua këtu vuan nga skleroza, por unë jam bërë më keq se ajo, sepse mendoj natë e ditë nga do të shkoj. i zoti i banesës më ka thënë dil nga shtëpia, çfarë të bëj unë? “, shprehet Lule Gjokaj, 50 vjeçe.

Ajo rrëfen se ka ndërruar 4 shtëpi, ka humbur të gjitha pajisjet dhe orenditë, ndërsa jeton me çfarë i japin njerëzit. “Pronari ku jetoj aktualisht me qira më ka thënë të jetojë deri për Vitin e Ri me qira aty, më pas ku të shkoj? Kam shkuar në Bashki kam kërkuar një kontenier dhe atë nuk ma kanë dhënë. Më kanë thënë ik nga të duash, një cop grua nga të shkoj unë vetëm? Ku të shkoj unë? Turp të kenë!”, shprehet e revoltuar Lulja.

Gani Gërdeci një tjetër Banor sqaron se po vuan pasojat e tërmetit dhe sot përveç se ka mbetur pa shtëpi, i duhet të përballojë edhe problemet shëndetësore të bashkëshortes së tij, që janë shkaktuar nga streset dhe jeta e vështirë.

“Mu dëmtua shtëpia në vitin 2019, nuk më ndihmoi askush sepse më thanë e kam pa letra. Pa letra janë të gjithë, por një gjë ka thënë Edi Rama me sinqeritet, termeti nuk njeh letra por dëmet e shkaktuara dhe për këtë ka premtuar mbështetje e të gjithëve.

Mua kjo mbështetje nuk më ka ardhur ndërsa jetoj me një kemp prej 10 mijë lekësh dhe gruaja e djali marrin ndihmë ekonomike nga 1500 lekë secili në muaj. Vetë siç e shikoni jam me njërën këmbë. Nuk kam ku të shkoj , ka ngelur vetëm të mbytem. Shirat që bien jashtë futen të gjitha brenda dhe siç e shikoni shtëpia ime është e mbushur me kova në pritje të cirkave të shiut”, shprehet një tjetër banor i moshuar.

Exit mobile version