Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj i jep ish-drejtuesit të strukturave të Policisë së Shtetit, Artan Cuku (pas vdekjes), Medaljen e Nderit, me motivacionin:
“Për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike”.
Ish-zyrtari i lartë i policisë, Artan Cuku, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e 8 prillit në Tiranë, ka mbajtur disa poste shumë të rëndësishme gjatë karrierës së tij në Policinë e Shtetit, deri në vitin 2014, kur ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi e pushoi nga detyra me pretendimin se po “rikonstruktonte policinë”.
Artan Cuku, punonjës i lartë në Policinë e Shtetit ka mbajtur edhe detyra të rëndësishme në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit për 16 vjet.
Ai ka qenë edhe shefi i Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, shef Krimesh në Tiranë, Shkodër, Fier. Cuku ka qenë edhe zv/drejtor i Krimeve në Policinë e Tiranës para se të emërohej drejtor në Vlorë.
Ai ka drejtuar Policinë e Vlorës në vitet 2012-2013 dhe ka qenë nëndrejtor i Policisë së Tiranës në vitet 2009-2011.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Artan Cuku ka drejtuar Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve të Rënda.
Cuku ka mbajtur edhe detyra të tjera si shef komisariati në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe në Tiranë. Kur ishte në kryeqytet një i shoqëruar nga policia, vëllai i një të arratisuri qëlloi veten me armën e tij.
Më 1 qershor 2014, Artan Cuku u pushua nga puna nga drejtori i atëhershëm i Policisë, Artan Didi, me pretendimin se “po rikonstruktohet Policia e Shtetit”.
Artan Cuku është një emër shumë i njohur, sidomos në Vlorë. Të gjithë qytetarët e mbajnë mend për vendosjen e rendit dhe goditjen e bandave kriminale, si dhe luftën ndaj trafikut të drogës. Ishte një nga drejtuesit më të mirë të Policisë së Vlorës, ku vendosi rendin dhe sigurinë në kohë të vështira.
Mbahet mend për kapjen e sasive të mëdha të drogës, qoftë në Karaburun apo në goditjen e grupeve të njohura kriminale. Ishte një oficer policie që ndryshoi rrënjësisht për mirë rendin dhe sigurinë në qytetin e Vlorës.
Artan Cuku ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze.
Vrasja ndodhi tek Rruga e “Kosovarëve”, një ndër më të preferuarat për banim kohët e fundit në kryeqytet.
Vrasja e Komisarit Cuku, për shkak se zbuloi vrasjen në Vlorë
Hetimet për vrasjen e Artan Cukut pritet të marrin një tjetër drejtim pas arrestimit të 24-vjeçarit Mikel Shallari. Ndonëse i riu nuk ka pranuar deri tani të bashkëpunojë me drejtësinë, hetuesit janë përqendruar tek dy persona të arrestuar në Vlorë, në kohën kur drejtor policie ishte Artan Cuku. Mësohet se njëri prej tyre është nga Mbrostari i Fierit i arrestuar për llogari të një dosjeje të rihapur nga Artan Cuku në vitin 2012, ndërsa personi tjetër nga Vlora.
Një ditë më parë, prokurori në kërkesën për gjykim ndaj të dyshuarit si ekzekutor Mikel Shallari, tha se vrasja po hetohet për gjakmarrje, por nuk la pa përmendur dhe punën e Cukut si drejtor policie, e cila vijon të jetë në hetim. Këtu ekspertët po verifikojnë edhe një nga ngjarjet më të hershme në Vlorë, e cila e ka pikënisjen që në vitin 1997 e ka vijuar me krime të rënda mes bandave rivale deri në vitin 2012.
Personazhet që akuzoheshin se ishin bërë shkak për një serial të përgjakshëm vrasjesh që filloi në Barcelonë të Spanjës, vazhdoi në Vlorë dhe përfundoi në Tiranë u arrestuan, por disa prej tyre janë liruar për mungesë provash. Këtu hetuesit janë mbështetur te e njëjta dosje, të cilën rihapi ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku.
Në atë kohë në pranga ra një person i rrezikshëm e që dyshohej si vrasës me pagesë në zinxhirin e krimeve mes bandave, por që përfshirja e tij nuk u arrit të vërtetohej përmes provave. Ndonëse deri më tani policia nuk ka bërë asnjë lidhje mes përplasjes mes bandave dhe ekzekutimit të Cukut, e vetmja pikë takimi është rihapja e dosjes dhe arrestimet e bëra nga ish-kreu i Policisë së Vlorës.
Pas arrestimit të Mikel Shallarit, policia ka shpallur në kërkim dy persona që besohet se janë urdhëruesit e vrasjes së Cukut. Ata nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe besohet se janë larguar jashtë vendit. Pista, sipas burimeve të policisë, tashmë mbetet ajo që lidhet me detyrën e Cukut në Vlorë, Fier e Berat. Tashmë duket se pista e gjakmarrjes nga familja Daka ka rënë, edhe pse zyrtarisht hetimet vijojnë.