Mehmedi shpëton Zvicrën nga humbja

Zvicra dhe Rumania, dy kundërshtarët e Shqipërisë në Kampionatin Europian, u ndanë në barazim në sfidën e dytë të Grupit A. Sfida e luajtur në Parc des Princes të Parisit, përfundoi në barazim 1-1. Në fushë me formacionin që fitoi me vështirësi përballë Shqipërisë, zviceranët e nisën vrullshëm sfidën, duke kërkuar golin me Shaqirin, por goditja e devijuar përfundoi lehtësisht në duart e portierit Tatarusanu. Supremacia në startin e sfidës bëri që helvetët të ishin fare pranë golit në dy momente me Seferoviç.
Fillimisht në minutën e 6-të, me të djathtën që përfundoi pak centimetra jashtë dhe më pas në të 16-tën me të majtën, ku u frenua nga portieri. Shanset e shpërdoruara e ndëshkuan Zvicrën, me Rumaninë që fitoi 11-metërsh në daljen e parë të rrezikshme, me gjyqtarin Karasev që nuk kishte dyshime pas tërheqjes nga fanella të Lichtsteiner ndaj Chipciu. Nga pika e bardhë Stancu nuk gaboi. Dy ndeshje, dy penallti dhe dy gola për rumunët, me Stancu që u bë lojtari i parë pas 16 vjetësh që realizoi dy 11-metërsha në të njëjtin edicion të Kampionatit Europian, pas spanjollit Mendieta në vitin 2000.
Zvicra provoi të përgjigjej me Schar, në tentativën e të cilit portieri Tatarusanu reagoi me një pritje të shkëlqyer. Mrekullia e gardianit nuk u përsërit nga Sapunaru, që në minutën e 28-të kishte shansin të dyfishonte shifrat për rumunët, me festën e tij që u prish nga shtylla. Në fundin e pjesës së parë, zviceranët provuan gjithçka për të gjetur golin, por Rodriguez, Dzemaili me kokë dhe Lichtsteiner nuk ishin të saktë përpara portës. Rumania jo vetëm që shkoi në pushimin e lojës në avantazh, diçka që ndodhte për të parën herë në 15 ndeshje të fazës finale të Europianit, por rrezikoi të shënonte sërish në të 52-ën, me Djourou që ishte me fat, duke mos e dërguar topin në rrjetën e tij.
Zvicra gjeti golin e barazimit me Admir Mehmedin në të 57-të, me një të majtë potente. Sulmuesi, që është një nga pesë shqiptarët e formacionit helvet u bë lojtari i parë që shënon si në Botëror ashtu edhe në Europian për Zvicrën. E hedhur e gjitha në kërkim të avantazhit, skuadra e Petkoviç provoi me Shaqirin, që ishte i pafat dhe me Embolo, të aktivizuar nga stoli, e që në dy raste rrezikoi seriozisht portën e Tatarusanu-t.
20 minutat e fundit u shoqëruan me raste nga të dyja portat. Fillimisht Torje vuri në provë aftësitë e portierit Sommer, ndërsa në anën tjetër tentativa e Mehmedit, pas goditjes standarde të Shaqirit, u neutralizua nga portieri. Me skuadrat që treguan shenja lodhje, tentativa e fundit kaloi nga këmbët e Keseru, ndërsa skuadrat u ndanë në barazim 1-1. Shqiptari Granir Xhaka u shpall sërish lojtari i ndeshjes, ndërsa me pikën e marrë Zvicra hipotekoi kualifikimin në fazën tjetër të Euro 2016.

Exit mobile version