Edhe pse prej ditës së parë të grumbullimit të Kombëtares ka refuzuar të flasë për ndeshjen me Spanjën, apo të dëgjonte çdo lloj argumenti që anashkalonte sfidën me Lihtenshtejnin, në mendjen e tij Gianni De Biasi ka punuar edhe për duelin e kësaj të diele me “La Roja”-n. Kjo u konfirmua me zgjedhjet e trajnerit në formacionin titullar në Vaduz, ku megjithëse fitorja ishte një detyrim, stafi teknik vendosi të linte pushim disa titullarë, për t’i pasur në formë optimale për duelin ndaj ish-kampionëve të botës dhe Europës.
Duke nisur nga krahu i majtë, ku kapiteni Ansi Agolli ashtu si edhe Ermir Lenjani e panë ndeshjen me Lihtenshtejnin nga stoli. Për të vazhduar me Taulant Xhakën, që në suksesin e parë me Maqedoninë ishte një prej elementëve vendimtarë në fushë. Për t’u siguruar që mesfusha, reparti më i fort i Shqipërisë, mbi të gjitha në duelet me kundërshtarë big, të jetë në gjendjen më të mirë të mundshme, De Biasi vendosi të zëvendësonte edhe Amir Abrashin pas 45 minutave lojë.
Asnjë shqetësim për Burim Kukelin, që megjithëse u zëvendësua në fundin e pjesës së parë, duke prekur gjurin, do të jetë në dispozicion të ekipit përballë Spanjës. Në dispozicion të skuadrës do të jetë edhe mesfushori Ledian Memushaj, i cili u paraqit me probleme fizike në grumbullimin e skuadrës dhe nuk qëndroi as në stol në “Rheinpark Stadion” të Vaduzit.
Kapiteni i Pescara-s do të jetë i gatshëm të japë kontributin e tij në sfidën në “Loro Boriçi” dhe tashmë aktivizimi i tij mbetet në dorën e De Biasit, që zgjedhjet që do të bëjë trajneri për t’i rrëmbyer një rezultat historik spanjollëve.