Pelle përjashtohet për sfidën me Maqedoninë

I kushton shtrenjtë Graziano Pelle gjesti në drejtim të trajnerit Ventura, kur trajneri e zëvendësoi në ndeshjen me Spanjën. Qendërsulmuesi është përjashtuar nga Kombëtarja për ndeshjen e së dielës me Maqedoninë. Lajmi u bë i ditur nëpërmjet një komunikate nga Federata Italiane në të cilën shkruhet: “Trajneri Gian Piero Ventura, në dakordësi me Federatën Italiane të Futbollit, vendosi të përjashtojë futbollistin Graziano Pelle nga lista e të grumbulluarve për ndeshjen me Maqedoninë në program të dielën e 9 tetorit në Shkup, për mungesën e respektit që tregoi gjatë zëvendësimit në takimin ndaj Spanjës.
Federata Italiane shton se, një sjellje e tillë është kundër vlerave që duhet të përfaqësojë fanella e Kombëtares, ndaj dhe lojtari rikthehet menjëherë në dispozicion të klubit. Gjatë natës, vetë Pelle kishte kërkuar falje nëpërmjet rrjeteve sociale, duke e pranuar se kishte bërë një gabim dhe sjellja e tij është e papranueshme si në drejtim të trajnerit ashtu dhe ndaj grupit. Pelle mori përsipër përgjegjësinë e një gjesti të tillë, duke pranuar të paguajë konseguencat, ndërsa ju kërkoi falje të gjithëve.
Lajme të këqija nga stafi mjekësor i Italisë për gjendjen e Ricardo Montolivos. Mesfushori i të kaltërve, i cili u zëvendësua nga Bonaventura në minutën e 30-të në takimin me Spanjën për arsye dëmtimi pas një përplasjeje me Sergio Ramos, mësohet se ka këputur ligamentin e gjurit të majtë. 31-vjeçari duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirugjikale dhe do të qëndrojë 6 muaj jashtë fushave të blerta.
Montolivo ka qenë i detyruar të largohet nga grumbullimi i kombëtares, ndërsa Milani në një komuniktatë zyrtare ka konfirmuar nevojën e një operacioni për këtë dëmtim të rëndë.

Exit mobile version