Asnjëherë në karrierën e tij Jose Mourinho nuk ka patur frikë për të guxuar në blerjen e lojtarëve me çmime të çmendura, ndoshta sepse nuk prekej llogaria e tij bankare apo ndoshta sepse dëshira për të fituar me çdo kusht bënte t’i imponohej çdo presidenti të mundshëm. Lëvizja e fundit e teknikut luzitan me 100 milionë paund për rikthimin e Paul Pogba te Mancester Junaitid, e ka rivendosur luzitanin në reflektorët e analizave financiare.
Në total, në një përllogaritje të mediave britanike, Mourinho ka shpenzuar 850 milionë paund për blerjen e lojtarëve të rinj, që kur zbarkoi te Çelsi, 11 vjet më parë dhe nisi të trazonte merkaton nën ritmin e parave të Roman Abramoviç. Këtë verë, “Djajtë e Kuq” kanë dominuar tregun kontinental me Erik Baili, Henrik Mkhitarian dhe Zlatan Ibrahimoviç, ky i fundit me kosto zero. Historia tregon se më parë portugezi arrinte përmes presioneve të jashtëzakonshme që të bindte presidentët në sakrifica financiare.
Mourinho zbarkoi në Angli në vitin 2004 i armatosur me bllokun e çeqeve të Abramoviç dhe në sezonin e parë, sakrifikoi 81.2 milionë paund te “Blutë”. Kjo u pasua nga të tjera shpenzime për 3 vitet e ardhshme me një kosto 219 milionë deri në shkarkimin e parë. Te Inter, Mourinho e ndjeu veten të varfër, por sërish e kaloi kufirin 100 milionësh, diçka që u duk pak te Reali i Madridit më vonë deri në rikthimin te Çelsi. Uillian, Fabregas dhe Diego Kosta ishin të gjitha operacione të financuara pjesërisht nga largimet, por Mourinho imponoi zgjedhjet e tij dhe faktet tregojnë se sollën tituj. Kjo verë ka shënuar nivele të reja në barometrin e Mourinhos në merkaton europiane, e me këtë ritëm, me të gjitha gjasat ai do të kalojë kufirin e 1 miliard paund të shpenzuar në karrierën e trajnerit.
Gjatë kësaj vere lëvizjet në merkaton e futbollistëve kanë qenë të shumta, ndërsa shifrat e shpenzuara shumë të larta. Pak ditë më parë Manchester United bëri blerjen më të shtrenjtë në historinë e futbollit, duke transferuar në “Old Trafford”, Paul Pogba për plot 105 milionë euro, megjithatë nuk janë Djajtë e Kuq klubi që kanë shpenzuar më shumë para deri tani në merkato, por kushërinjtë e të njëjtit qytet. Me 190,1 milionë euro të shpenzuara në merkato Manchester City i Pep Guardiolës është klubi që ka bërë transferimet më të shtrenjta në këtë merkato, me synimin për të përforcuar sa më shumë grupin aktual të lojtarëve. Citiziens kanë shtuar radhët me 8 lojtarë dhe blerja më e shtrenjtë është ajo e mbrojtësit John Stones për 55 milionë euro nga Evertoni. Leroy Sane është një tjetër lojtar që u ka kushtuar shtrenjtë arkave të City-t, plot 50 milionë euro, ndërsa kartoni i brazilianit Gabriel Jesus i kushtoi skuadrës angleze 32 milionë euro, por 19-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës së Guardiolës vetëm në muajin janar. Një tjetër emër i rëndësishëm i afruar te Manchester City është Ilkay Gundogan për të cilin Citiziens shpenzuan 26 milionë euro. Në vendin e dytë përsa i përket klubeve që kanë shpenzuar më shumë në merkato pozicionohet me të drejtë Manchester United.