Radio Evropa e Lirë: Viti i ardhshëm do të jetë vit i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Vendimi për këto zgjedhje është marrë pasi Këshilli Evropian ka refuzuar të nisë bisedimet e pranimit me Shkupin dhe Tiranën, këtë muaj. Cili do të ishte mesazhi juaj për publikun maqedonas dhe partitë politike atje?
Philip Reeker: Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Në Shtetet e Bashkuara kemi qenë shumë të lumtur javën e kaluar kur kemi parë Senatin amerikan që ka ratifikuar aplikimin e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s.
Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarja e 30-të, aleatja e 30-të e organizatës transatlantike. Ky është një hap i jashtëzakonshëm. Ata kanë bërë reforma të mëdha, kanë bërë marrëveshje me fqinjët që u kanë mundësuar të lëvizin përpara.
Ne tashmë i kemi parë rezultatet në Maqedoninë e Veriut, në kuptim të një sensi të ri të stabilitetit dhe sigurisë, që i rrit mundësitë dhe interesimin e investitorëve të huaj. Kjo është e rëndësishme.
Ne jemi zhgënjyer – sekretari Pompeo e ka bërë këtë shumë të qartë – që Këshilli Evropian nuk i ka nisur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Perspektiva evropiane, ideja që njerëzit e këtyre vendeve evropiane duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, ka qenë një përbërës kryesor i politikës sonë të jashtme.
Ne nuk jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, por ne e kemi mbështetur këtë ide. Programet tona të ndihmës, diplomacia jonë i ka mbështetur përpjekjet për reforma që këto vende i kanë ndërmarrë për të lëvizur në atë drejtim. Ne besojmë se kjo është në interesin më të mirë të një vendi të rajonit dhe Evropës.
Është zhgënjyese të shihen udhëheqës të caktuar me një lloj pikëpamjeje të shekullit 19 për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpresojmë të jetë vetëm një pengesë e përkohshme (dhe) vendet do të kenë mundësi në pranverë, siç kanë thënë, për një vendim të ri që do të mundësonte hapjen e negociatave të pranimit.
Ky, natyrisht se do të ishte vetëm fillimi i një procesi të gjatë, i një serie kapitujsh, nëpër të cilët kanë kaluar vendet e reja të Bashkimit Evropian, përpara tyre, për të zbatuar reformat e nevojshme, për t’u kualifikuar, për të përmbushur kërkesat e anëtarësisë në BE.
Kam vënë re se Këshilli (Evropian) nuk ka kërkuar hapa të rinj, thjesht e ka shtyrë vendimin. E di se në Maqedoninë e Veriut po bëjnë hapa të mëdhenj në këtë drejtim. Ata janë të lumtur të shohin përparimin në procesin e NATO-s.
Ne qartazi do ta njohim këtë kur udhëheqja e NATO-s të takohet në dhjetor dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet e tyre, edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Shqipëri për të lëvizur drejt rrugës së BE-së.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se vendimi negativ i Brukselit mund të ketë efekt negativ në rajon apo t’iu hapë dyert vendeve të tjera?
Philip Reeker: Mendoj se është e rëndësishme që ky proces që Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare e kanë inkurajuar tash e sa dekada, nuk duhet të hidhet në dyshim. Këto janë vende evropiane dhe SHBA-ja e mbështet një Evropë të tërë, të lirë, në paqe dhe prosperuese – si pjesë e politikës sonë të jashtme – që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Ne po festojmë 70-vjetorin e NATO-s. NATO-ja ka qenë qartazi një çelës i rëndësishëm për arritjen e stabilitetit, fillimisht në Evropën Perëndimore, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, dhe pastaj, pas adaptimit në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, me anëtarë të rinj, me zgjerim të partneriteteve me të tjerë, si aleancë mbrojtëse.
Ky ka qenë një çelës i rëndësishëm për të pasur një nivel sigurie, që e ka mundësuar këtë periudhë të paprecedentë të prosperitetit në Evropë. Kjo është një gjë me të cilën krenohemi. Është mirë për Shtetet e Bashkuara, është mirë për evropianët.
Derisa e festojmë këtë përvjetor dhe kujtojmë se çfarë kemi bërë së bashku, ne besojmë se duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Ka të tillë që duan të ndërhyjnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, thjesht për të krijuar paqëndrueshmëri.
Ka të tillë që nuk duan të shohin stabilitet, sepse i ndikon interesat e tyre negativë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim njerëzit e rajonit që duan të lëvizin përpara për një të ardhme më të mirë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Palmer ka thënë javën e kaluar se mungesa e vendimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mund t’ia hapë dyert Rusisë. A jeni të shqetësuar?
Philip Reeker: Mendoj se është shqetësim. E kemi parë ndikimin keqdashës përpara në rajon. Këto vende (në Ballkanin Perëndimor) e kanë deklaruar qartazi se drejtimi që duan të marrin është Perëndimi.
Ato janë pjesë e Evropës dhe duan të jenë pjesë e institucioneve dhe e organizatave që e përbëjnë Evropën dhe mundësojnë mirëqenie më të madhe, kohezion më të madh.
Ato kanë bërë hapa të rëndësishëm në tejkalimin e dallimeve me fqinjët – ky është hapi i parë – dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për t’u kualifikuar, thjesht për të hapur procesin e pranimit, i cili pastaj do të zgjasë derisa të përmbyllet secili kapitull. Por, ky është proces pozitiv.
Ne besojmë se ato meritojnë përgjigje pozitive, pasi të bëjnë saktësisht atë që u është kërkuar të bëjnë dhe t’i përmbushin kushtet e nevojshme për të lëvizur përpara.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, ku është ndikimi më i madh rus në rajon?
Philip Reeker: Varet nga pikëpamjet e të tjerëve se si duan ta shohin këtë. Rusia është një vend që ka marrëdhënie në rajon dhe ne e pranojmë këtë. Edhe ne duam të kemi marrëdhënie më të mira me Rusinë. Kam qenë në Moskë dhe kam bërë përpjekje të bisedoj për atë se ku mund t’i ndërtojmë marrëdhëniet tona. Kemi shumë sfida.
Një nga vendet më të dukshme, ku shihet ndikimi keqdashës i Rusisë, është Ukraina. Rusia e ka pushtuar këtë vend, ka vazhduar (të mbështesë) vazhdimin e luftës në pjesën lindore të Ukrainës.
Mijëra njerëz kanë vdekur. Ata (rusët) kanë ndërmarrë obligime përmes Procesit të Minskut për të gjetur një rrugë përpara dhe nuk i kanë zbatuar.
Ne duam ta shohim këtë. Rusët po paguajnë çmim për këtë, për veprimet e qeverisë së tyre. Ky lloj i ndikimit keqdashës është diçka që nuk duam ta shohim në pjesë të tjera të Evropës dhe sigurisht jo në Ballkanin Perëndimor.
“Radio Europa e Lirë”