NGA AZGAN HAKLAJ
Me 4 Korrik do të rimblidhet sërish tryeza konsultative e “Harkut EuroAtlantik”, tashmë në një stad e situatë tjetër që diktohet nga koha dhe ngjarjet që po përjeton vendi.
Nuk është vetëm një hap tjetër i avancuar konsolidimi, por një tryezë pune e shqyrtimi, mendimi e sugjerimi për projekt -programin fitues e strategjinë elektorale që Lulzim Basha dhe demokratët euroatlantikë kanë publikuar pak ditë më parë.
Në të njëjtën ditë do të mblidhen strukturat, kryesia, dhe këshilli kombëtar i demokratëve euroatlantikë.
Nuk u përzgjodh rastësisht kjo datë, pasi që përkon me festën kombëtare të aleatit tonë të madh, SHBA-ve.
Dikujt mund ti duket e parëndësi kjo simbolikë si një retorikë sipërfaqësore e sempliste, por në fakt aty gjëndet e vërteta e madhe e kësaj skizme tre vjeçare që çoi në përçarjen e demokratëve të opozitës dhe në shfrytëzimin e pamoral të saj nga pushteti i korruptuar e konspiracionist i Edi Ramës.
Në shpirt e në koshiencën politike të demokratëve, në aspiratën e hershme e aktuale të atyre që besojnë në shenjtërinë e parimeve mbi të cilat jemi themeluar e betuar qëndron pikërisht aleati ynë i madh, gardiani i vlerave të lirisë e demokracisë, SHBA.
Asnjë sajesë e intrigë për interesa okulte përsonale të establishmentit të vjetër që tani kanë marrë erë, nuk mund ta fshijë dhe as ta zëvendësojë këtë ideal e princip parësor.
Dita ditës po zvetnohet e zhvlerësohet pseudosovranizmi patriotik i Sali Berishës, sikundër po dekonspirohet deri në përqeshje divorci për të ruajtur hajninë e Ilir Metës, shoqëruar me “rimartesat “e tyre për pushtet.
As gomat që digjen me regji para zyrës së Erjon Velisë të sjella enkas nga fugonat e policisë, as investimi në gjykatën e apelit nga Belinda Balluku dhe akrabatë e saj per t’ju grabitur demokratëve simbolet, nuk do ta fshehin qëllimin e vërtetë të një bande politike të korruptuar që mban peng vendin per 3 dekada dhe rrezikon demokracinë e ardhmërinë tonë.
E bëra këtë parantezë jo thjesht për të shpjeguar koinçidencën e paramenduar të tubimit tonë euroatlantik pikërisht me dt. 4 korrik, por edhe për t’ju qasur me seriozitet realitetit të hidhur anti-amerikan e anti perëndimor që po na serviret sot në forma të hapta e të nëndheshme, nga kapot politike të tranzicionit.
Eshtë jo vetëm e dhimbshme por fatale për fatet e atdheut e kombit sidomos në kontekstin gjeopolitik rajonal e botëror një direksion i tillë, që jo vetëm injoron por edhe po i sfidon aleatin tonë strategjik.
E më keq akoma, kur me paratë dhe influencën korruptive të segmenteve të drejtësisë pajiset me vulën e anti amerikanizmit, një grupacion tashmë haptas i deklaruar anti perëndimor.
Është kjo një tablo e zymtë e vendit tonë me shtetin e pushtetin më të korruptuar autokratik që shëmbëllen me sulltanatet e botës së tretë, i cili hapur ka peng një pjesë të opozitës të lidhur me ujdinë e hallit nga organet e drejtësisë, ndërsa euroatlantikët që sponsorizohen e suportohen nga aleatët euroatlantikë, duket në pamje të parë, sikur nuk kanë rrugëdalje nga ky udhëkryq!
E tillë dukej dhe tabloja e vitit 90-të kur kishte rënë perandoria komuniste në glob, ndërsa këtu vlonin sloganet e mbijetesës së diktaturës.
Por si atëherë edhe sot aspiratat e kombit thërrasin misionarët që si në kohën e Xhorxh Washingtonit, duhet të marrin rolin e gjysmë perendive për fatet e vendit.
Dhe koha është sot.
Me vullnet dhe idealizëm, me tolerancë e stoicizëm, me program të qartë e të realizueshëm, me aleatët në krah e në bashkërendim sigurisht që do ja dalim.
Nuk është kohë meditimi meskin për poste e kolltuqe, ndryshe bëhemi njësh me ata që na çuan në këtë situatë dhe ua mbyllim derën besimit dhe mbështetjes.
Shumë kush mendon se rruga jonë e fitores është në kufijtë e pamundësisë ngaqë korrupsioni e autokracia e pushtetit, ka marrë qytetari të frikshme.
Të tjerë mendojnë se ujdia e hapur dhe nën tokë e segmenteve të kompromentuara e të dezinjuar botërisht si të tilla e rrit pamundësinë, por besoni se rruga jonë sa principiale aq dhe idealiste do të triumfojë.
Populli ynë nga përvoja mijëra-vjeçare eksperiencën e tij e ka shndërruar në filozofi që paraqitet thjesht në sentencën: “Zullumi këputet, aty ku është më i trashë”.
Ky është fati final i zullumqarëve të sotëm të demokracisë të cilët pas non gratës në gjithë botën demokratike, do marrin me vote dhe non gratën nga vetë shqiptarët.
Po i mbyll këto radhë me shprehjen optimiste e lapidar’ të Albert Kamy-s:
“Mes dimrit të acartë të gjejmë brënda vetes verën e pamposhtur”.