Mesi dënohet me 21 muaj burg

21 muaj burg për Lionel Mesin dhe babain e tij. Ka qenë ky vendimi që ka marrë Gjykata e Barcelonës për yllin argjentinas dhe Jorge Mesin të atin e futbollistit. Pas hetimeve të shumta Leo Mesi dhe babai e tij janë shpallur fajtorë nga Gjykata për evazion fiskal. Megjithatë, tifozët e Barcelonës mund të qëndrojnë të qetë, sepse dënimi prej 21 muajsh nuk parashikon hyrjen në burg të 29-vjeçarit dhe babait të tij, kjo sepse ligji spanjoll e thotë qartazi se për dënime më të ulëta se 24 muaj, personat përgjegjës nuk futen në burg dhe dënimi mund të shlyhet me një gjobë të majme. Gjatë muajit qershor, Mesi dhe i ati u gjykuan për mashtrim fiskal, pasi gjatë viteve të fundit 2007, 2008 dhe 2009 nuk i kanë paguar taksat shtetit spanjoll.
Mashtrimi fiskal kap shifrën e 4.1 milionë eurove, shifër e lartë kjo, por jo për një futbollist si Lionel Mesi që vetëm nga kontrata e tij me Barcelonën përfiton rreth 20 milionë euro në sezon. Fillimisht, akuza kërkoi 22 muaj e 15 ditë burg për të dy, ndërsa pala mbrojtëse bëri propozimin që të dënohej me vetëm 1 vit e gjysmë, i ati i futbollistit, i cili ishte shkaktari kryesor i evazionit fiskal ndaj shtetit spanjoll. Gjithsesi në fund Gjykata e Barcelonës vendosi t’i dënojë me 21 muaj burg si Leon ashtu edhe Jorge Mesin, dënim ky që mund të shlyhet me gjobë dhe që nuk parashikon hyrjen në burg për asnjërin prej tyre. Në të kaluarën ka patur raste të tjera kur futbollistë të ndryshëm janë dënuar për evazion fiskal, rasti më i fundit është ai i Javier Mascheranos, një tjetër lojtari të Barcelonës.

Exit mobile version