Lionel Mesi pranë rikuperimit. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, pësoi një dëmtim të rëndë më datë 21 shtator, në takimin kundër Atletiko Madrid. Stafi mjekësor i klubit blaugrana, pas analizave të bëra doli në përfundimin se, sulmuesit i duhet të paktën 3 javë për të rimarrë veten, por duket se argjentinasit do t’i nevojitet më pak kohë. Mesi ka nisur të vrapojë. Lajmin e mirë për të gjithë tifozët e Barcelonës e jep trajneri i kampionëve të Spanjës, Luis Enrique, i cili deklaron se, 29-vjeçari është në rrugën e duhur. Gjithashtu ai shton se duhet patur shumë kujdes, pasi dëmtimi kërkon trajtim të veçantë.
Momentalisht, Mesi i është nënshtruar masazheve intensive fizioterapike. Argjentinasi është një element shumë i rëndësishëm për katalanasit dhe mungesa e tij në fushën e blertë u vu re dhe në takimin kundër Celta Vigo-s, ku Barcelona u mund me rezultatin 4 me 3. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” me shumë gjasa do të ketë në dispozicion pak minuta, në takimin e datës 15 tetor, kundër Deportivo la Coruna. Kjo ndeshje do të jetë një test shumë i rëndësishëm për sulmuesin, nga ku do të krijohet një ide më e qartë në lidhje me gjendjen e tij fizike, katër ditë përpara ndeshjes së Champions League, me Man.City, ku sigurisht do të kërkohet fitorja për të siguruar vendin e parë në Grupin C.