Shkolla 9-vjeçare Edith Durham është një nga 5 institucionet arsimore e përzgjedhura për projektin pilot të mësuesit në dispozicion kurdo ka mungesa të mësuesve me kohë të plotë.
Edhe pse struktura është krijuar me 20 mësues të gatshëm në 5 shkollat e kryeqytetit, kjo skemë e re duket se nuk po funksionon pasi nxënësit kanë dalë nga shkolla dy orë më herët.
“Jam në klasë të 9, mungonte zysha e historisë për arsye shëndetësore. Nuk erdhi mësuesja tjetër për ta zëvëndësuar. Kishin filluar disa mësuese të reja të na vinin, por sot jo, nuk kishte për historinë”- tha një nxënës.
Përveç zëvëndësimit të orëve, mësuesit e gatshëm kanë detyrë edhe zhvillimin e orëve përforcuese që nxënësit me arritje jo shumë të mira, t’i përmirësojnë rezultatet. Mirëpo, jo të gjithë prindërit janë në dijeni të këtij projekti pilot si dhe mendojnë që kategoria e pjesëmarrjes duhet të zgjerohet dhe orët shtesë të përfshijnë edhe aktivitete argëtuese për fëmijët.
“Unë nuk jam futur sepse s’më ka ardhur fleta. Grupi i përforcimit është për nxënësit e notës 4,5 dhe 6 në lëndët e gjuhës shqipe, matematikës dhe anglishtes. E zhvillojnë pas mësimit, orë të gjashtë dhe të shtatë në një nga klasat që gjejnë bosh”- u shpreh nxënësja.
“E kemi bërë në fillim, tani ska ardhur më mësuesi në dispozicion se nuk është mësues i shkollës sonë, ka disa shkolla të tjera”- tha një prind.
“Nëse bëhet vërtet është e nevojshme sepse u jep mundësinë të gjithëve të mësojnë më shumë”- u shpreh një tjetër prind.
“Unë nuk jam në dijeni, por do ishte shumë mirë për ne, se vetë orari i shkollës nuk mjafton. Detyrohemi t’i çojmë në qëndra kursesh”.
Prindërit kërkojnë mbi të gjitha që ky projekt pilot të merret seriozisht dhe jo thjesht të mbetet i shkruar në letër.