Home Office ka pranuar se në rastet kur azilkërkuesit që strehohen në Britani ndërrojnë jetë në këto ambiente, ose i japin fund jetës, nuk i bëjnë publike dhe nuk japin informacione.
Sipas tyre kjo bëhet për të mos rënduar shëndetin mendor dhe psikologjinë e familjarëve të azilkërkuesve që mbërrijnë ilegalisht në Britani.
The Guardian shkruan se ky zbulim vjen pas 176 vdekjeve në ambientet e azileve që nga viti 2020, dhe një dyfishim të numrit të personave që vrasin veten, duke përfshirë këtu edhe rastin e 27-vjecarit nga Durrësit, Leonard Farruku.
Në vitin 2022, 46 persona humbën jetën teksa mbaheshin në ambientet e azilit të Home Office, më shumë se dyfishi i personave që humbën jetën në vitin 2021.
OJQ-të kanë paralajmëruar kohët e fundit se azilkërkuesit janë në rrezik veçanërisht të lartë të vetëvrasjes, pjesërisht për shkak të politikave të Home Office, si futja në vendet e strehimit masiv të tilla si Wethersfield në Essex dhe maunia Bibby Stockholm në Portland, Dorset.
Home Office ka konfirmuar se po vë në dispozicion më pak informacion në lidhje me këto vdekje sesa kishte bërë më parë.
Ndërkohë Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO), ka dalë kundër kësaj praktike të ndjekur nga Home Office, duke dalë në vendimin se duhet të jepet informacione për çdo rast.
Home Office dha informacione se kishte pesë vdekje në mes janarit dhe qershorit të vitit të kaluar, me një të konfirmuar si vetëvrasje.
Por refuzoi të jepte detaje të tjera si mosha, gjinia dhe kombësia, duke përmendur një seksion të Aktit të Lirisë së Informacionit që jep të drejtën për të mbajtur informacionin nëse ka gjasa të “rrezikojë shëndetin fizik ose mendor të çdo familjari” ose sigurinë e tyre.
Në vendimin e saj, ICO tha se Home Office i kishte shpjeguar se kur dikush vdiste në strehimin e azilit, nuk ishte praktikë standarde për të kontaktuar me të afërmit e tij.
Familja e Leonard Farrukut, i cili vrau veten teksa strehohej në maunen “Bibby Stockholm”, në dhjetor 2023 i tha Guardianit se Home Office nuk i kishte informuar për vdekjen e tij.