Mësuesi monstër ngacmon nxënësen 14-vjeçare, arrestohet

Një mësues i shkollës 9-vjeçare “Mustafa Lleshi”, në Kashar u arrestua nga Policia e Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet me akuzën e kryerjes së veprimeve turpshme ndaj një nxënëseje së tij 14-vjeçare. Hasan Martani, 64 vjeç, mësues i Matematikë-Fizikës, u arrestua pas denoncimit të prindërve të vajzës. Ngacmimet ndaj vajzës kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në tualetet e shkollës. Për këtë e mitura i ka treguar ngjarjen nënës së saj.
“Vajza ime e denoncoi. Nuk ka pasur shqetësim nga mësuesit e tjerë. Edhe për këtë mësues kam pasur respekt se ishte autoritar. Jam befasuar kur i pashë me sytë e mi mesazhet në ‘Facebook’. M’u shemb bota. Vajza është ekselente. Si ngjarje kam një javë që e di. Dje dorëzova provat. Nuk duhet vetëm pezullimi, por kërkoj të dënohet. Ai që dyshonim se ishte i rrezikshëm iku. Kam qenë e shqetësuar se vajza si tip ka qenë edhe e mbyllur dhe mbyllja shkoi edhe më tej”, thotë ajo.
Nëna shpjegon se nuk e ka sjellë çështjen në shkollë, sepse donte që të merrej shteti dhe të mos kishte asnjë ndikim. Ajo deklaron se nuk donte vetëm shkarkimin, por dënimin e mësuesit. “Çështjen nuk e kam sjellë në shkollë, e shmanga, sepse nuk duhet të ndikoheshin të tjerët dhe duhet të merrej shteti. Çështjen nuk e diskutova me drejtoreshën për sa kohë unë kisha faktin në dorën time. Nuk doja vetëm një shkarkim, por më shumë”, ka thënë nëna e 14-vjeçares. “Para një jave erdhi vajza e shqetësuar dhe unë si prind e kuptova se diçka kishte ndodhur. Ajo më tregoi më pas çfarë kishte ngjarë”.
Nëna thotë se, kërkoi prova për fjalët e vajzës. “Ajo kishte Facebook dhe e kishte bllokuar. Erdhi në shtëpi dhe i thashë ta zhbllokonte dhe t’i shkruante. I shkroi dhe ai i ktheu përgjigje. Dhe ne morëm atë që deshëm për të provuar. Bëmë denoncimin dhe ia kemi lënë shtetit në dorë”, tha nëna e vajzës.
Drejtoresha e shkollës, Raimonda Halilaj thotë se mësuesi është pezulluar. “Çështja është në hetim dhe nuk mund të flas në lidhje me rastin. Ne kemi bërë pezullimin e tij nga puna menjëherë. Po ashtu është njoftuar edhe Drejtoria Arsimore”, tha ajo.
Vetë vajza ka pohuar abuzimin e mësuesit, në praninë e psikologut. Për këtë rast do të kryhen verifikime nëse mësuesi ka shkuar përtej ngacmimeve seksuale. Vetë 64-vjeçari ka dhënë deklarime kontradiktore, kur është pyetur nga policia në lidhje me rastin.

Exit mobile version