Meta: Hetim për fletët e votimit të pavlefshme!

Presidenti Ilir Meta deklaroi gjatë një konference se, zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë përfunduar, pasi ende nuk ka nisur procesi i ankimimeve dhe konstestimeve.

“Mos u shfokusoni nga procesi i zgjedhjeve. Mos u çorientoni me lajme të tjera. Zgjedhjet nuk kanë përfunduar, dita e votimeve po, administrimi vazhdon. Rezultati vazhdon dhe i ka mundësitë të jetë një rezultat paraprak, sepse procesi i numërimeve nuk ka mbaruar ende por ajo që është më e rëndësishme, procesi i ankimimeve apo konstestimeve nuk ka nisur akoma, sepse kjo gjë nuk mund të ndodhi sipas Kodi Zgjedhor pa u shpallur rezultati nga KQZ. Dua të falënderoj qytetarët e Shqipërisë që pavarësisht çfarë ndodhi deri në 26 prill iu përgjigjën thirrjes së Presidentit, morën pjesë masive në zgjedhjeve, pjesëmarrja është të paktën 74 për qind, e qytetarëve që janë rezident dhe kanë të drejtën për të votuar”, tha presidenti, në një deklaratë për mediat.

Meta kërkoi një hetim të thellë për fletët e votimit, të cilat kanë dalë të pavlefshme. Kreu i Shtetit ngriti dyshime se fletët e votimit janë bërë qëllimisht të pavlefshme, me qëllim deformimin e vullnetit të sovranit.

Një thirrje bëri për forcat politike, që sipas tij, momentalisht nuk duhet të bëjnë analiza, por të përqendrohen të mbarëvajtja e procesit, pasi ende nuk ka përfunduar.

“Duhet me shumë përgjegjshmëri të mos preket asnjë kuti votimi, apo fletë votimi. Të numërohet gjithçka, sepse filmimet janë atje. Është e lehtë për ta kuptuar nëse një fletë ka dy kryqe dhe nëse i ka bërë e njëjta dorë apo janë dy duar të ndryshme, pra dora e sovranit dhe dora e sekserit dhe atyre që administrojnë dhe që kanë pasur qëllim për të cënuar votën e sovranit”, u shpreh.

“I bëj thirrje të gjitha forcave politike të përqendrohen për të mos cënuar më tej integritetin e këtij procesi dhe për të numëruar dhe rinumëruar çdo votë që është hedhur nga qytetarët. Çdo krim zgjedhor e rëndon pozitën e atyre që do të përfshiheshin në krime të tilla për të mbuluar ato që kanë ndodhur. I bëj thirrje forcave politike që të mos merren me analizën e zgjedhjeve, pasi ato nuk kanë përfunduar, por ti shërbejnë mbarëvajtjes së procesit. Ky është mesazhi im dhe i kërkoj edhe KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë që të jenë në gatishmëri të këtij procesi. Asgjë nuk na nxiton, institucionet krijohen në shtator. S’ka njeri të bërtasë më njeri hap kutitë, sepse kutitë janë hapur me kod. Të lënë çdo bashkëpunim që kanë pasur deri më sot, komisioner numërues të PS, PD, LSI. Tani të përqendrohen në këtë çështje. Është e rëndësishëm të bëhet një hetim i fletëve të pavlefshme. Një qytetar që nuk ka shkuar të votojë ka bërë zgjedhjen e tij dhe nuk ka të drejtë të kërkojë llogari. Por që një qytetar të shkojë të votojë të rrijë në radhë të hedhë votën e tij dhe ajo ti dalë e pavlefshme për shkak të marifeteve kjo është e pafalshme dhe nuk duhet të ndodhë më”, shtoi ai.

Exit mobile version