Meta me AKIP kundër ligjit të Ramës për plehrat

Perfaqesues te FRESSH, duke mbajtur parrulla ne duar gjate nje proteste perpara godines se Parlamentit, kunder ligjit te importit te plehrave.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar dje dy takime lidhur me ligjin për menaxhimin e mbetjeve, të kthyer në Kuvend për shqyrtim nga Presidenti Nishani.
Fillimisht në Kryesinë e Kuvendit u drejtuan një përfaqësi ambientalistësh, gazetarë dhe juristë.
Pas takimit me Metën, Sazan Guri tha se, “shqyrtuam dekretin e Presidentit. I vetmi konsensus është vota kundër ligjit të mbetjeve”.
Ndërsa gazetari Artur Zheji u shpreh: “Meta na la të kuptojmë se ligji nuk kalon pa konsensusin e shoqërise civile”.
Më pas ishte AKIP që zhvilloi takim me Metën në Kryesi. Lavdosh Feruni tha për mediat se kërkuan nga kreu i Kuvendit votimin e dekretit të Presidentit.
Feruni tha se nuk morën garanci vote, por shtoi se “Meta na garantoi se çështja e ‘mbetjeve’ do të zgjidhet me konsensus”.
Më herët AKIP ka zhvilluar takime me kreun e PD, Basha dhe kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi duke siguruar votën kundër ligjit.
Mbrëmjen e së dielës me dhjetëra qytetarë iu bashkuan koncertit-protestë kundër importit të mbetjeve.
Aktivistët e shoqërisë civile dhe emra të njohur të muzikës shqiptare si Eda Zari dhe Elina Duni, kërkuan që të mos lejohet importi i mbetjeve në Shqipëri, pasi do të shkatërronte këtë vend.
Protesta u mbajt tek piramida në Tiranë kundër ligjit të kthyer për rishqyrtim nga Presidenti Nishani për importin e mbetjeve.
Pra, mund të thuhet se Ligji i Plehrave, i rrëzuar nga dekreti i Presidentit Nishani, me gjithë avokatinë e deputetëve Eduart Shalësi dhe Besnik Bare, me gjithë avokatinë dhe llafollogjinë e tejzgjatur të Kryeministrit, mund të quhet sot, krejtësisht i rrëzuar!
Çfarë do të bëjë Rama?
Do të akuzojë LSI, për tradhti ndaj koalicionit?
Do të heshtë apo do të braktisë sallën e Parlamentit? Sepse numrat, për ta kaluar këtë ligj të turpit, nuk i ka! Edhe PD, edhe PDIU, edhe Agron Duka, si edhe mjaft deputetë të PS, janë bindshëm pro, votës kundra!

Exit mobile version