Nga sot, Ilir Meta do të drejtojë zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e inaugurimit të tij nisi me betimin në Parlament, e më pas u zhvendos në selinë e Presidencës, ku u prit nga Bujar Nishani. Të ftuar në ceremoninë e betimit ishin krerët e partive politike në vend, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtuesit e komuniteteve fetare, drejtuesit e institucioneve të pavarura. Meta falënderoi ish-Presidentin Nishani, për kontributin e tij dhe për punën e bërë në këto 5 vite. “Një vlerësim kam për qetësinë dhe qëndrimin e ekuilibruar të Nishanit, me të cilin kam bashkëpunuar në shumë rrethana të vështira. Shteti shqiptar ka përgjegjësinë e një populli me vlera madhore. Të jesh në krye të këtij shteti, është më shumë se përgjegjësi para Kushtetutës, por para historisë së këtij kombi. Sapo u betova duke u angazhuar që të gjitha aftësitë e mia politike do të jenë në ruajtje të tolerancës e bashkëjetesës. Gjithnjë ja ka vlejtur të mos kursehesh për të gjetur se çfarë na bashkon. Përvoja politike më inkurajon të pohoj se gjithnjë ia ka vlejtur të bësh lëshimet dhe kompromiset e nevojshme për hir të mbarësisë kombëtare. Jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensit. Demokracia është jetike për një vend si yni. Demokracia e ka dimension jetik lirinë e medias, si liri e të shprehurit të shoqërisë. S’mund të ketë demokraci të shëndetshme pa shoqëri aktive. Shqipëria evropiane që duam kërkon cilësi të lartë mendimi, që nuk arrihet pa përfshirje të botës akademike universitare. Aspirata e madhe evropiane nuk mund të vlerësohet me rritje të vogla përqindjesh ekonomike, apo me statistika sa do optimiste janë ato”, tha Meta. Mes të tjerash, Meta tha se Shqipëria do të bëhet europiane këtu ku është. “Shqipëria jonë i ka të gjitha resurset. Shqipëria do të bëhet europiane këtu ku është. Ndaj dua që të nënvizoj faktin se duhet të punojmë për rritjen e besimit të qytetarëve tek politika. Duke forcuar dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, do i përballojmë këto sfida. Shqiptarët kanë gjetur të që vijojnë drejt BE. Personalisht që nga lëvizja e ‘90, kam qenë i angazhuar që Shqipëria të ecë para. Do të mbështes çdo angazhim për të vijuar drejt BE. Le të na inkurajojnë vlerat tolerante të vendit, siç janë toleranca dhe bashkëpunimi”, pohoi Meta. Ai e mbylli fjalën e tij me një thënie të Papa Franceskut, ndërsa lexoi edhe mesazhin e urimit që i shenjti i kishte dërguar Metës pak ditë më parë.
Betimi në Parlament
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë të jashtëzakonshme për betimin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. “Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale. Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian”, tha Meta gjatë fjalës në Parlament. Gjatë fjalës së tij të parë si President, pas betimit në Kuvend, Ilir Meta tha se shpalli kandidaturën si president më 28 prill më shumë me mendje sesa me zemër. Ndërsa sot, tha Meta jam betuar plotësisht me zemër. “Në 28 prill vendosa të kandidoj për President më shumë me mendje sesa me zemër, sepse opozita nuk ishte këtu. Por sot dua tju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin”.
Kryemadhi, jo në rolin e Zonjës së Parë
Ashtu siç edhe e kishte deklaruar më herët, Kryemadhi ka hequr dorë nga privilegjet dhe detyrat e ‘Zonjës së Parë’, duke mos e shoqëruar bashkëshortin e saj as në këtë moment historik. Meta është parë në krah me ish-Presidentin tashmë Bujar Nishani dhe bashkëshorten e tij Odeta Nishani. Krah Ilir Metës si Presidenti i Republikës do të qëndrojnë fëmijët e tij, ku vajza e madhe Bora do ta shoqërojë Kreun e Shtetit në të gjitha takimet dhe evenimentet.
Inaugurimi i Metës, Rama thyen protokollin
Në thyerje të Protokollit të Shtetit, Kryeministri Edi Rama, u shfaq me kostum dhe atlete sportive në ceremoninë e betimit të Presidenti të ri të zgjedhur Ilir Meta. Pas shfaqjes në Parlament, kreu i qeverisë po ashtu ka shkuar dhe në Presidencë, ku Meta do të takohej me Nishanin dhe do të mbajë fjalën e tij. Ky është një rast tipik i ndjekur nga Rama për tërhequr vëmendjen në aktivitete të tilla, siç ishte edhe rasti i Samitit të Triestes, ku i vetmi lajm i prodhuar andej për Shqipërinë nuk ishin përftimet e fondeve, por veshja me atlete e Ramës teksa takonte liderët europianë.
Presidenti i 7-të i Shqipërisë së periudhës pas komuniste
Ilir Meta do të jetë Presidenti i shtatë i Shqipërisë së periudhës pas komuniste. Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, Parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 zgjodhën Ramiz Alinë, President të Republikës.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës, më 3 prill 1992, Alia jep dorëheqjen nga detyra.
Pas fitores në zgjedhje të parakohshme të vitit 1992, koalicioni opozitar fiton zgjedhjet, ndërkohë më 9 prill 1992, Sali Berisha zgjidhet President i Republikës, detyrë në të cilën u rizgjodh edhe më 3 shkurt 1997, por pak muaj më pas, Berisha jep dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje prej PD-së dhe fitores së koalicionit të majtë.
Në 24 korrik të po këtij viti në krye të Presidencës zgjidhet Rexhep Meidani i propozuar nga Partia Socialiste, e cila fitoi shumicën e Kuvendit.
Mandatin e Presidentit të katërt në vitin 2002 e merr Alfred Moisiu. Emri i tij është propozuar përmes një procesi diskutimesh mes opozitës së drejtuar prej Sali Berishës dhe mazhorancës së drejtuar prej Fatos Nanos. Zgjedhja e emrit përmes konsensusit vjen dhe përmes kërkesës së ndërkombëtarëve.
Ndërkohë pas Moisiut në krye të Presidencës vjen Bamir Topi deri në atë kohë nënkryetar i PD-së. Ai e ka marrë mandatin në 24 korrik 2007. Por dhe në zgjedhjen e Topit President u kërkua vijimi i procedurës së konsensusit, por pa arritur në kompromis.
Po në 24 korrik të vitit 2012, detyrën e Presidentit e merr Bujar Nishani, i cili zgjidhet në Parlament me votat e mazhorancës.
Tashmë pas përfundimit të mandatit të Nishanit, është Meta që do të nisë këtë detyrë.