Situata nga zjarret sa vjen e përkeqësohet. Në Tepelenë, Kukës dhe Dibër janë riaktivizuar vatrat e zjarrit, duke shkrumbuar qindra hektarë pyje e kullota, ndërsa vetëm ditën e djeshme janë shfaqur 16 vatra të reja. Zjarret po rrezikojnë edhe Parqet Kombëtare. Bëhet e ditur se, deri tani janë regjistruar 15 raste të rënies së zjarrit në Parqet Kombëtare.
Hapësira e gjelbërt në Ujin e Ftohtë në Tepelenë vijon të digjet. Bëhet e ditur se, zjarri është përqendruar në pjesën e poshtme të pyllit dhe po i afrohet kurorës së gjelbërt. Terreni i vështirë dhe i thepisur nuk lejon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Bëhet e ditur se, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.
Gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin janë shënuar 16 vatra zjarri në Shkodër, Vlorë, Elbasan, Tiranë dhe Gjirokastër, Lezhë, Kukës dhe Fier. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se, në fshatin Luzat, Tepelenë ka rënë zjarr në një sipërfaqe të madhe pyjore. Në fshatin Grahot, Gjirokastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me kullotë. Forcat zjarrfikëse kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje dhe kanë bërë izolimin e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj 10 ha kullotë. Në fshatin Sofranik, Dropull, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe sherebel. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 0.3 ha me shkurre, ferra dhe 0.3 ha sherebel.
Vatra e zjarrit në fshatin Malaj, Mirditë u rindez gjatë ditës së djeshme. Rreth 30 forca ushtarake dhe një helikopter janë angazhuar për shuarjen e këtij zjarri. Në fshatin Ibë, Tiranë, u rindez zjarri ditën e dielë në një sipërfaqe pyjore me pisha.
Në fshatin Hekal, Tiranë, ra zjarr në sipërfaqen e mbrojtur pyjore me pisha të Parkut të Dajtit. Për shkak të terrenit shumë malor, ndërhyrja me forca tokësore ka qenë e pamundur. Nga zjarri u dogjën 0,7 ha pisha të shkurtra dhe u shpëtuan antenat.
Në zonën e Ujit të Ftohtë, Bashkia Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë shkuar edhe vullnetarë, të cilët pavarësisht terrenit malor kanë arritur të shuajnë flakët. Si pasojë u dogj një sipërfaqe 4 ha shkurre dhe ferra. Në Njësinë Administrative Armen, Selenicë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 3 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Poti i Mazrekut, Has, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe kullotë. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre, ferra dhe kullotë.
Në Prrenjas, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullore, shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 8 ha hamullore dhe 1 ha pisha të shkurtra.
Në afërsi të stacionit të trenit Librazhd, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.6 ha me shkurre dhe ferra. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Llimas, Elbasan, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.1 ha me shkurre dhe ferra dhe 30 rrënjë ullinj. Në fshatin Lolaj, Peqin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.4 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Caljan, Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe 20 rrënjë ullinj.
Në Malin Hebe, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra. Në fshatin Mollas, Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 5 dynym shkurre dhe ferra.