Meta ndau gruan për hir të luftës me SPAK, po Berisha çfarë do bëjë me “martesën” që ka me Gaz Bardhin?!

Nga Poli Hoxha

Kreu i Parisë së Lirisë, Ilir Meta, ka deklaruar në nisje të intervistës në emisionin e Çim Peka, se këtë të enjte ka nisur edhe zyrtarisht procedurën e divorcit me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Kjo deklaratë e bujshme erdhi pas pyetjes së Pekës, “Si do ju besojnë ju njerëzit në betejën tuaj kur bashkëshortja juaj dhe ish-kryetarja e Partisë së Lirisë, nuk beson se SPAK kontrollohet nga Edi Rama?”.

Menjëherë pas kësaj, Meta deklaroi se pikërisht për këtë qëndrim ndaj SPAK të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, me të cilën ka edhe 3 fëmijë tashmë në moshë madhore, ai ka nisur edhe procesin e zgjidhjes së martesës së gjatë. Duket e pabesueshme por qenka e vërtetë: Ilir Meta jo vetëm politikisht por edhe në martesë po divorcohet për qëndrimet e kundërta që ka me Kryemadhin në lidhje me Prokurorinë e Posaçme, arsye kjo që ai e quan aq madhore, sa po prish edhe familjen.

Ky është një vendim i fortë dhe “burrëror” i cili krijon një precedent dhe realitet të ri në politikën shqiptare të cilën SPAK sidomos, e ka ndarë në dy kampe. Ndaj bazuar në këtë precedent që vendosi Ilir Meta duke sakrifikuar edhe martesën, koha është që pyetja që i bëri atij Çim Peka, ti bëhet edhe Sali Berishës.

Ajo është: Zoti Berisha, ju jeni i bindur që SPAK është nën kontrollin dhe urdhërat e Edi Ramës, kurse zëvendësi juaj, Gazment Bardhi, nënkryetari dhe kryetar i grupit parlamentarë të PD, ka një qëndrim krejt të kundërt. Si mund të vazhdojnë tu besojnë ju demokratët dhe shqiptarët kur kryetari i PD e quan SPAK organizatë kriminale, kurse nënkryetari i PD, e përkrah dhe ka besim?!

Tani ne e dimë se mund të vazhdojnë me përrallën “bashkë në diversitet”, por ka një problem. Ilir Meta duke prishur edhe familjen dhe martesën prej vërteti, e ngriti stekën aq lartë sa që “martesa” një vjeçare e Sali Berishës me Gazment Bardhin, do duket në rastin më të mirë si ato mblesëritë e qëmotshme, kur nusja blihej edhe me një lopë.

“Martesa” Bardhi-Berisha nuk është se ka pasur ndonjë kimi. Përkundrazi u krye në kushte kur të dy kishin vjellë vrer dhe akuza deri për vrasje ndaj njëri-tjetrit. Berisha fajësonte Bardhin për përgjakjen e zgjedhjeve të vitit 2021 në Elbasan, kurse ky nga ana e tij e rëndonte dorën edhe më shumë, kur i numëronte “Babit të Zenit”, varret e shumta në Gërdec.

Gjithsesi i futën nga një gotë verë për ti kapërdirë të gjitha këto dhe të tjera dhe u “martuan” në diversitet. Nuk e hëngri kush në fakt këtë, por duket se deri më tani kjo “martesë” po mbahej dhe po funksiononte, të paktën në aparencë.

Po ku të lë rehat Ilir Meta. Ai njësoj si Sali Berisha është në luftë të hapur kundër SPAK dhe “Dumdumanit”, por që këtë të martë, kaloi nga fjalët në akte madhore: Ndau gruan nënë e 3 fëmijëve dhe prishi familjen rreth 30 vjeçare, vetëm pse Monika Kryemadhi njësoj si Gaz Bardhi, beson te Prokuroria e Posaçme dhe mendon se nuk kontrollohet nga Edi Rama.

Ky akt ekstrem më shumë se çdo gjë tjetër, kërkon burrëri. Dhe pikërisht këtu ja ka ngritur stekën Ilir Meta, Sali Berishës: Unë sakrifikoj gruan dhe familjen në luftën kundër SPAK, kurse ti nuk fut dot në rresht ose në të kundërt ta divorcosh, as Gaz Bardhin?! Ose mos jeni ju Zoti Berisha, peng i atij që dikur i çonte kafet në zyrë Lulpengut?!

Nuk e dimë se si do shkoj kjo punë pas kësaj që bëri Meta, por hall për Bardhin dhe hall edhe më i madh për Sali Berishën, i cili gjendet përpara sfidës që të tregoj burrëri përpara atyre që e ndjekin, vetëm 5% sa ajo që tregoi Ilir Meta.

Sepse në fund të fundit divorc me Gaz Bardhin që mbron organizatën kriminale SPAK do bëjë, jo me nënën e fëmijëve siç bëri Ilir Meta!/Alfapress.al

Exit mobile version