Meta në Prokurori pas padisë ndaj Dvoranit

Presidenti Ilir Meta do të paraqitet sot në orën 12:00 në Prokurorinë e Tiranës. Burimet thanë se, Presidenti Meta do të pyetet lidhur me kallëzimin që ka bërë ndaj kreut të KED-it, Ardian Dvorani.

Meta është thirrur nga Prokuroria e Tiranës për të dhënë sqarime për këtë çështje. Prokurori që po heton çështjen dhe do marrë në pyetje Presidentin është Alket Mersini, raporton gazetarja e Abc Neës Glidona Daci.

Kujtojmë se Meta paditi afro një muaj më parë kreun e KED pas përplasjes për zgjedhjen e anëtareve të Gjykatës Kushtetuese. Në kallëzimin e bërë nga Presidenca, thuhet se Dvorani ka shpërdoruar detyren dhe ka falsifikuar dokumentet shteterore.

Padia

Përplasja disa mujore midis Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe Kreut të KED Ardian Dvoranit, u konkretizua me kallëzimin penal të firmosur nga Kreu i Shtetit kundrejt  Dvoranit. Presidenti e akuzon kreun e KED se nuk ka zbatuar ligjin në renditjen dhe përcjelljen e listave së kandiatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në kallzimin e Presidentit të Republikës, nënvizohen dy akuza për Ardian  Dvoranin “Shpërdorim detyre” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” të parashikuar në nenet 248 dhe 246 te Kodit Penal.

Kallëzimi është dërguar në Prokurorin e Përgjithshme, prokurorine Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorine e rrethit gjyqësorë Tiranë, të cilat do të vendosin se kush e ka kompetencën për të regjistruar dhe hetuar kallëzimin penal. Në padinë e depozituar në të treja organet e hetimit nëe kryeqytet ndër te tjera thuhet:

“Presidenti i Republikës ka konstatuar përgjatë veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (2019) disa shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zoti Ardian Dvorani, veprime këto të cilat kapërcejnë kufirin e “shkeljes disiplinore”, dhe hyjnë drejtëpërdrejtë në sjellje që e ngarkojnë zotin Dvorani me përgjegjësi penale. Veprimet dhe mosveprimet e tij kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cenimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”.

Kallëzimi i firmosur nga kryetari i shtetit Ilir Meta thekson gjithashtu se:

“Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese”.

Pasi ka radhitur shkeljet, sipas tij, në një dokument prej 38 faqesh, Meta kërkon ndër të tjera nga prokuroria që të sekuestrojë materialet e mbledhjeve të KED te datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2019.

Pas depozitimit të kallëzimit penal të presidentit, ka reaguar i padituri, kreu i KED Ardian Dvorani. Në një sqarim të gjatë me shkrim, kreu i KED thotë se si çdo shtetas e funksionar shtetëror, i nënshtrohet Kushtetutës e ligjeve dhe do t’i bindet organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse.

“Kallëzimi penal i presidentit bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve, të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai”.

Presidenti e akuzon për marrje të kompetencave, por Kreu i  KED e sheh tjetërkund arsyen e këtij reagimi nga ana e Ilir Metës.

“Siç duket shtetarët tanë ende nuk janë mësuar dhe nuk ndjehen mirë që ndryshimet kushtetuese i kanë hequr, si në rastin e Presidentit e jo vetëm, autoritetin ekskluziv të mëparshëm, aq shumë të kritikuar e ndoshta të abuzuar, kur procesi ishte mjaft problematik, me mungesë transparence, pa procedura e kritere ligjore seleksioni e vlerësimi bazuar në integritetin e meritokracinë e kandidatëve, si edhe pa asnjë kufizim ligjor tjetër në thirrjen dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues. Tashmë është KED, një organ i ri i pavarur kushtetues të cilit Kushtetuta i ka ngarkuar kompetencën ekskluzive për të bërë verifikimin e integritetit të kandidatëve dhe më pas vlerësimin e renditjen e atyre që kualifikohen”.

Ardian Dvorani thotë se sjelljet e tij nuk përbëjnë asnjë vepër penale, por gjithsesi këtë sipas tij do ta vendosë prokuroria dhe gjykata.

Exit mobile version