Nis zyrtarisht aventura e Vicenzo Montellës në stolin e Milanit. Trajneri i ri u prezantua në ambientet e klubit nga administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galliani. Ky i fundit fillimisht thuri elozhe për Montellën duke theksuar se drejtuesit e Milanit vendosën të emërojnë 42-vjeçarin italian në krye të skuadrës për faktin se në këto vitet e fundit në drejtimin e ekipeve të ndryshme ka arritur gjithmonë rezultate, por mbi të gjitha sepse ish-lojtari i Romës aplikon një futboll sulmues dhe shumë tërheqës. Më pas fjalën e mori vetë Montella.
“Është e paimagjinueshme sesi Milani nuk merr pjesë prej 3 sezonesh në Kupat e Europës. Ky do të jetë objektivi ynë primar, pra të rikthehemi në Europë. Që nga momenti që kam filluar punën si trajner kam menduar të përmirësohem. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, është një përgjegjësi shumë e madhe për mua të jem trajneri i Milanit, por do të punoj fort, plot energji. Jam entuaziast, por njëkohësisht i përqendruar te puna ime”, u shpreh Montella.
Objektivat për sezonin e ri dhe merkaton ishin këto dy temat e tjera që preku Montella. “Nuk kemi kohë për të humbur, unë dhe stafi im duhet të njihemi menjëherë me skuadrën. Fakti që Milani nuk kualifikohet në kupat e Europës prej 3 sezonesh do të thotë që diçka nuk shkon. Do të bëjmë maksimumin për ta ndryshuar diçka të tillë. Borja Valero? Nuk është e vërtetë që e kam kontaktuar, janë thjesht thashetheme. Merkato do të jetë e rëndësishme. Duam të afrojmë në skuadër futbollistët që do t’i shërbejnë projektit tonë”, tha ai.