Presidenti i Milanit Silvio Berluskoni është në prag të shitjes së klubit drejt investitorëve kinezë. Mediat italiane thonë se kuqezinjtë priten të shiten shumë më lirë se çfarë thuhej më parë. “Milani është një hap larg fundit të një epoke dhe nisjes së një tjetre të re. Silvio Berluskoni është duke lëshuar 70 për qind të aksioneve të klubit për një shifër të përafërt me 400 milionë euro.
Pak, shumë më pak nga 1 miliard euro që duhej të shitej nga operacioni Taechaubol. Përfituesi është një maniak kinez, ndërsa këshilltari është një ekspert amerikan. Nga burime të besueshme konfirmohet se firmosja e marrëveshjes është e afërt, ndoshta brenda javës që vjen”, shkruan e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”. Rreth 70 për qind e aksioneve pritet të shiten së shpejti, ndërsa 30 për qind që mbeten do të shiten në fund të sezonit të ardhshëm.
Ndërkohë, mirënjohjen më të madhe për punën që bëri gjatë periudhës që drejtonte Milanin, Sinisha Mihajloviç e ka marrë si dhuratë nga ana e tifozëve kuqezi, të cilët menjëherë sapo mësuan për vendimin e Berluskonit për të shkarkuar trajnerin, u pozicionuan në krah të serbit. Mbështetësit e Milanit nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e klubit për t’i besuar stolin Kristian Brokit, teksa kanë premtuar protesta në adresë të Berluskonit dhe Galianit. Ndërkohë, rikthehemi tek aktualiteti.
Valerio Stafeli, gazetari i famshëm i emisionit popullor në Itali “Striscia la Notizia”, i ka dhuruar ditën e djeshme “Tapirin e Artë”, ish-trajnerit të kuqezinjve, Sinisha Mihajloviçit. Ky i fundit, në prononcimin e tij të shkurtër përpara kamerave, ka evituar që të polemizojë me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni. I pyetur për shkarkimin e tij, Mihajloviç tha: “Nuk duhet të më pyesni mua pse sot nuk jam më trajneri i Milanit. Unë nuk jam njeriu më i përshtatshëm për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje. Për më tepër informacione duhet t’i drejtoheni presidentit Silvio Berluskoni.
Përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë tifozët e Milanit, të cilët kanë qenë gjithmonë shumë të dashur me mua. Kjo do të thotë se ndoshta kanë vlerësuar aspektin njerëzor të Sinisha Mihajloviç”, u përgjigj në mënyrë ironike serbi.