Milani nuk ndalet në merkato

Milani nuk njeh limite në merkato. Kuqezinjtë kanë gati goditjen e 8-të, pasi kanë arritur parimisht marrëveshjen me Lazion për transferimin në “San Siro” të Lucas Biglias. Kartoni i kapitenit argjentinas të skuadrës bardhekaltër do t’i kushtojë arkave të Milanit, 16 milionë euro plus bonuset. Montella do të ketë tashmë në skuadrën e tij mesfushorin që kërkonte për t’i dorëzuar çelësat e kabinës së regjisë te Milani i sezonit të ri. Fakti që Biglia nuk iu bashkua Lazios për fazën përgatitore të verës ishte një sinjal i qartë se lojtari i përfaqësueses albiceleste kishte vendosur veton dhe dëshira e tij ishte një dhe e vetme të kalonte te Milani. Kanë mbetur vetëm detajet e fundit që Lucas Biglia të konsiderohet në të gjitha mënyrat një futbollist i klubit kuqezi. Objektivi i drejtuesve të 7 herë kampionëve të Europës është që lojtari të jetë sa më shpejt në dispozicion të trajnerit Montella për të udhëtuar më 14 korrik me skuadrën drejt Kinës për turneun aziatik. Pas shumë bisedimesh më në fund Lazio ka pranuar të shesë kapitenin e saj, ndërkohë që Biglia shumë shpejt do të bëhet blerja e 8-të e Milanit në këtë merkato, me kuqezinjtë që vazhdojnë të shpenzojnë shifra marramendëse për të ndërtuar një skuadër të denjë që mund të vendosë në vështirësi Juventusin.

Exit mobile version